
Më datë 21 tetor 2026, Ambasadorja Artemis Malo mori pjesë në një takim me mjekë dhe profesionistë shqiptarë të fushës së shëndetësisë, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kanada.
Aktiviteti, i organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Toronto, krijoi një hapësirë për shkëmbimin e përvojave profesionale, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve shqiptarë të diasporës dhe diskutimin e mundësive për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në Shqipëri dhe Kosovë.
Ky takim u zhvillua edhe në shenjë nderimi të kujtimit të Dr. Agron Aliaj, mjek i përkushtuar dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich”, në London, Ontario. Përmes profesionalizmit, humanizmit dhe përkushtimit të tij ndaj pacientëve dhe komunitetit, Dr. Aliaj la pas një trashëgimi të çmuar profesionale dhe njerëzore, si dhe një kujtim të veçantë te të gjithë ata që patën privilegjin ta njihnin.


