
Më datë 20 shtator 2026, për të dytin vit radhazi, në Toronto u zhvillua Panairi i Bizneseve Shqiptare në Kanada, i organizuar nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Kanada.
Edicioni i parë i panairit, i organizuar vitin e kaluar me nismën dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Kanada, bëri bashkë mbi 50 biznese që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Në edicionin e dytë të këtij viti ishte i pranishëm edhe Ambasadori amerikan William Walker, ish-kreu i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Gjatë aktivitetit u shpërnda për të pranishmit libri i tij “The Truth About Reçak”, në të cilin ai ka përmbledhur dëshmitë dhe kujtimet e tij nga shërbimi në Kosovë.
Në fjalën e saj, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, Sh.T.Znj. Artemis Malo, shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e Ambasadës për të vijuar angazhimin në promovimin e bizneseve shqiptare në Kanada, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe të lidhjeve ekonomike ndërmjet komunitetit shqiptar të biznesit dhe institucioneve përkatëse.


