
Pas disa javësh trajnimesh intensive dhe shkëmbimi përvojash, ka përfunduar me sukses misioni i organizatës kanadeze Firefighters Without Borders, i realizuar në bashkëpunim me strukturat shqiptare të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Gjatë këtij misioni, zjarrfikës dhe instruktorë kanadezë ndanë ekspertizën dhe përvojën e tyre me homologët shqiptarë përmes sesioneve teorike dhe ushtrimeve praktike, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale, përmirësimin e aftësive operacionale dhe rritjen e gatishmërisë për përballimin e situatave emergjente.
Ky bashkëpunim përbën një shembull domethënës të partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, të mbështetur në solidaritet, shkëmbimin e njohurive dhe angazhimin e përbashkët për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e komuniteteve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada shpreh mirënjohjen e saj për organizatën Firefighters Without Borders, strukturat shqiptare të përfshira, si dhe të gjithë pjesëmarrësit dhe partnerët që kontribuuan në realizimin me sukses të këtij misioni, duke forcuar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes civile dhe menaxhimit të emergjencave.


