
Në periudhën 19 korrik – 1 gusht 2026, Organizata jofitimprurëse kanadeze Firefighters Without Borders zhvilloi në Shqipëri një program kombëtar trajnimi për strukturat e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.
Në kuadër të këtij programi, u mbajtën sesione trajnimi pranë njësive zjarrfikëse në Berat, Lezhë dhe Tiranë. Gjatë këtyre aktiviteteve, ekspertët e organizatës kanadeze kanë ndarë me efektivët shqiptarë praktikat më të mira ndërkombëtare për ndërhyrjen në raste zjarresh, përmbytjesh, aksidentesh rrugore, operacionesh shpëtimi dhe situatash të tjera emergjente. Trajnimet kanë ndërthurur sesionet teorike me ushtrime praktike në terren, me synim forcimin e aftësive profesionale dhe rritjen e gatishmërisë operacionale.
I iniciuar nga organizata Firefighters Without Borders, ky projekt është bërë i mundur përmes bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada, organizatës Firefighters Without Borders, Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Pushtetit Vendor.
Ky program përfaqëson një shembull konkret të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve profesionale të strukturave të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit, shkëmbimin e ekspertizës dhe të praktikave më të mira ndërkombëtare, si dhe thellimin e bashkëpunimit institucional në fushën e menaxhimit të emergjencave dhe mbrojtjes civile.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada vlerëson këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e partneritetit shqiptaro-kanadez dhe në avancimin e përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjen e komuniteteve.


