Me rastin e Muajit të Trashëgimisë Shqiptare dhe 108 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është zhvilluar një takim me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kanada-Shqipëri dhe përfaqësues të organizatave të diasporës shqiptare në Kanada.
Gjatë takimit të organizuar nga znj. Julie Dabrusin, anëtare e Parlamentit, kryetare e Grupit Parlamentar të Miqësisë dhe Sekretare Parlamentare e Ministrit të Trashëgimisë në bashkëpunim me Ambasadën e RSH, u trajtuan shkurtimisht lidhjet dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve tona gjatë kësaj periudhe, aktiviteti i organizatave të diasporës dhe roli i tyre, kontributi i komunitetit shqiptaro-kanadez, etj.
Krahas vlerësimeve për lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe komunitetin shqiptaro-kanadez, anëtarët e pranishëm të Parlamentit përcollën urimet me rastin e 108 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Artistja Tringa Rexhepi krijoi atmosferë të veçantë me interpretimin e Himnit Kombëtar dhe “O Canada”.