Ambasadorja Malo iu bashkua komunitetit shqiptar në Toronto për të festuar 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, një moment historik që shënon rrugëtimin e një kombi drejt lirisë, demokracisë dhe paqes së qëndrueshme.
Tingujt e muzikës tradicionale, flamujt kuq e zi dhe kuq e kaltër, si dhe fjalët e ndjera të bashkatdhetarëve që ndanë përvojat e rrugëtimit të lavdishëm të Kosovës dhe sfidat e përbashkëta të diasporës, krijuan një mbrëmje të paharrueshme, të mbushur me ndjenjë atdhedashurie dhe uniteti.
Në këtë kuadër, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada përshëndet me ngrohtësi këtë moment të shënuar dhe uron përparim të vazhdueshëm për shtetin e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve në mbarë botën.



