Kanadaja shtrihet në më shumë se gjysmën e Amerikës së Veriut, me një sipërfaqe prej 9.98 milion km² dhe është vendi i dytë më i madh në botë nga sipërfaqja. Popullsia e saj (rreth 38 milion banore) eshte e përqendruar, kryesisht, në qytete të mëdha dhe të mesme (82%), shumë afër kufirit jugor.
Kryeqyteti i saj është Ottawa dhe tri qendrat më të mëdha metropolitane janë Toronto, Montreal dhe Vancouver. Klima e Kanadasë është e larmishme duke filluar nga klima arktike në veri, deri tek verërat e nxehta në rajonet jugore, me katër stinë të ndryshme.
Kanadaja është një demokraci parlamentare federale dhe një monarki kushtetuese. Monarkia kanadeze është një institucion ligjor i veçantë nga monarkia e Mbretërisë së Bashkuar, edhe pse të dy funksionet mbahen nga i njëjti individ. Sovrani është Charles III, i cili është gjithashtu monark i 14 vendeve të tjera të Komonuelthit dhe e secilës nga 10 provincat e Kanadasë. Përfaqësuesi i Mbretit, Guvernatori i Përgjithshëm i Kanadasë kryen shumicën e detyrave mbretërore federale në Kanada.
Kanadaja ka dy gjuhë zyrtare, anglishten dhe frengjishten. Është një nga vendet më të ndryshme etnikisht dhe kulturalisht si rezultat i emigracionit në shkallë të gjerë nga shumë vende të tjera. Kanadaja renditet e pesëmbëdhjeta nga të ardhurat e larta për frymë, ekonomia është e dhjeta më e madhe në botë, duke u mbështetur kryesisht në burimet e saj natyrore dhe rrjetet e tregtisë ndërkombëtare të zhvilluara mirë.
Kanadaja renditet ndër vendet me treguesit më të lartë për transparencën e qeverisë, lirive civile, cilësinë e jetës, lirinë ekonomike dhe arsimin.
Marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri – Kanada
PËRMBLEDHJE
Marrëdhëniet midis Republikës së Shqipërisë dhe Kanadasë janë vendosur më 10 shtator të vitit 1987. Deri në vitin 1992, Ambasada e Kanadasë në Beograd mbulonte edhe Shqipërinë. Më pas, deri në vitin 1999, ky juridiksion i kaloi Ambasadës së Kanadasë në Budapest, Hungari. Që nga viti 1999 e në vazhdim, Kanadaja përfaqësohet në Shqipëri nëpërmjet ambasadorit të saj në Romë, Itali.
MARRËDHËNIET DYPALËSHE
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë marrë zhvillim më të madh pas vendosjes së demokracisë pluraliste në Shqipëri. Në prill të vitit 2001, u hap për herë të parë ambasada e Republikës së Shqipërisë në Otavë, e cila i dha një impuls të ri forcimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe karakterizohen nga një miqësi e konsoliduar. Vizitat e ndërsjella të nivelit të lartë ndër vite dëshmojnë për nivelin dialogun politik dhe potencialin e bashkëpunimit ekonomik. Mbajtja e konsultimeve diplomatike është gjithashtu një tregues i vullnetit të përbashkët për të konsoliduar bashkëpunimin politik, në të mirë të avancimit të marrëdhënieve dhe intenifikimit të bashkëpunimit në fushat me interes reciprok. Plotësimi i kuadrit ligjor është i rëndësishëm për nxitjen e ndërsjellë të shkëmbimeve dhe investimeve dypalëshe. Vendet kanë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi në fusha të ndryshme. Në 30 prill 2019, u nënshkrua Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore, ndërkohë që Shqipëria dhe Kanadaja po koordinojnë me vullnet të përbashkët avancimin e marrëveshjeve në proçes, përfshirë marrëveshjen për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve të Huaja.
Diaspora shqiptare e mirë integruar në shoqërinë dhe jetën kanadeze përbën një urë të fortë lidhëse dhe faktor të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe bashkëpunimin dypalësh ndërmjet dy vendeve.
Te dy vendet janë aleate në NATO. Shqiperia vlerëson kontributin e Kanadasë në avancimin e demokracisë dhe forcimin e paqes dhe sigurisë globale dhe do të vijojë të bashkëpunojë me të në këtë drejtim në kuadër të diplomacisë shumëpaleshe.