Ambasadori i Shqipërisë, z. Ermal Muça dhe Ambasadori i Kosovës, z. Adriatik Kryeziu mikpritën zonjat nga komuniteti shqiptaro-kanadez në aktivitetin e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës në Otava, me rastin e 7 marsit, Ditës së Mësuesit dhe 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Aktiviteti gjatë së cilit u pasqyrua edhe ekspozita fotografike “Roli i gruas në zhvillimin e shoqërisë shqiptare”, shërbeu për të evidentuar dhe ritheksuar bashkërisht vlerësimin ndaj kontributit të vyer të mësuesve dhe rolit aktiv e tejet të rëndësishëm të gruas shqiptare në jetën komunitare, për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si edhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare dhe forcimin e lidhjeve me Kanadanë.
Në këtë kontekst, u dorëzua nga një Çertifikatë Mirënjohje për shkollën dhe mësueset e gjuhës shqipe në Otava, si edhe për znj. Lumturi Bejkosalaj, me kontribut të hershëm në veprimtarinë komunitare.
Krahas zonjave nga Otava dhe Montreali morën pjesë, përmes videomesazheve të urimit për të pranishmet, disa zonja me kontribut të çmuar në aktivitetin komunitar dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe nga Toronto, Kalgari, Vankuveri, Londoni dhe Kitcheneri.
Një moment i veçantë iu kushtua shprehjes së solidaritetit njerëzor me Ukrainën, gratë, vajzat dhe popullin e saj.
Gëzuar Ditën e Mësuesit dhe Ditën Ndërkombëtare të Gruas!