Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, mirëpriti, në rezidencë, ekipin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, për negocimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kanadasë në fushën e transportit ajror. Darka u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe miqësore, duke theksuar vullnetin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet dy vendeve. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i kompanisë Air Transat, z. Howard Liebman, Zëvendëspresident i kompanisë, pjesëmarrja e të cilit nënvizoi interesin konkret të sektorit privat për vijimin e zgjerimit të bashkëpunimit në këtë fushë me potencial të rëndësishëm ekonomik dhe turistik. Avioni Airbus A330, si një miniaturë simbolike, u dorëzua për të prezantuar avionin që do të kryejë fluturimin e parë historik. Ky hap përbën një zhvillim domethënës në avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-kanadeze dhe krijimin e mundësive të reja për lëvizjen e qytetarëve, biznesit dhe turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.



