Më 27 nëntor 2025, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Toronto, Canada, u çel ekspozita fotografike “Jehonë – Echoes of the Past” në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto.
Ekspozita u realizua në bashkëpunim me Albaniantradita.ca dhe me pjesëmarrjen e fëmijëve të komunitetit shqiptaro-kanadez të qytetit të Otavës, duke sjellë një prezantim dinjitoz të elementeve të trashëgimisë kulturore shqiptare, në kuadër të 9-vjetorit të Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në provincën e Ontarios.
“Jehonë – Echoes of the Past” u prit me interes të veçantë nga të ftuarit, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-kanadez dhe miq të kulturës shqiptare në qytetin e Torontos, duke qëndruar e hapur për publikun gjatë 28 nëntorit 2025.
Krahas hapjes së ekspozitës, programi u pasurua me një përzgjedhje artistike të kuruar, e cila përfshinte:
-
Performancë instrumentale në violinë të këngëve “Baresha” dhe “Këngës moj” nga Klea Cani
-
Kolazh tradicional polifonik nga Grupi Polifonik i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” Toronto
-
Performancë artistike nga Grupi i Valleve “Fluturimi i Shqipes”, nën drejtimin koreografik të Denajda Dhrimaj
Ekspozita “Jehonë – Echoes of the Past” përfaqëson një nismë të rëndësishme të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada në promovimin, ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë kulturore shqiptare tek brezat e rinj në diasporë.



