Më 27 Nëntor 2025, në Toronto, u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar pranë Asamblesë Legjislative të Ontarios, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë dhe 9-vjetorit të Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në provincën e Ontarios.
Aktiviteti u përshëndet nga deputetët e Asamblesë Legjislative, znj. Mary Margaret McMahon nga Partia Liberale dhe znj. Alexa Gilmour nga Partia Demokratike e Re. Po ashtu, në këtë ngjarje morën pjesë edhe z. Kadri Dakaj, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, përfaqësues të shoqatave dhe organizatave shqiptaro-kanadeze në Toronto, si Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, Albanian Canadian Excellence Society (ACE), RH Scholarship dhe Albanian Youth, si dhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez.
Ceremonia u moderua nga znj. Mendi Kabashi dhe përfshiu interpretimin e himneve kombëtare nga këngëtari Faton Isufi (himni shqiptar) dhe këngëtarja Tringa Rexhepi (himni kanadez). Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë solemne dhe institucionale, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, si dhe kontributin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptaro-kanadez në promovimin e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e lidhjeve dypalëshe.


