Më 27 nëntor 2025, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto, çeli ekspozitën fotografike “Jehonë – Echoes of the Past” në ambientet e kësaj të fundit. Ekspozita, e organizuar në kuadër të 9-vjetorit të shpalljes së Muajit të Trashëgimisë Shqiptare në provincën e Ontarios, kishte për qëllim prezantimin dinjitoz dhe profesional të elementeve të trashëgimisë kulturore shqiptare.
“Jehonë – Echoes of the Past” u prit me interes të veçantë nga të ftuarit, përfaqësues të komunitetit shqiptaro-kanadez, si dhe miq të kulturës shqiptare në qytetin e Torontos. Ekspozita qëndroi e hapur për publikun deri më 28 nëntor 2025. Ambasadorja Artemis Malo ishte e shoqëruar në këtë ngjarje nga znj. Elisabeta Frroku, Sekretare e Dytë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Malo vlerësoi rolin e rëndësishëm të komunitetit shqiptaro-kanadez në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor, duke theksuar se nisma të tilla kulturore shërbejnë si ura të rëndësishme lidhëse midis diasporës dhe atdheut, duke pasuruar njëkohësisht mozaikun multikulturor të Kanadasë.
Në vijim, z. Kadri Dakaj, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Toronto, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare në Kanada dhe vlerën e përbashkët të trashëgimisë kulturore mbarëkombëtare.
Programi i ekspozitës përfshiu një përzgjedhje artistike të kuruar, duke përfshirë performancën instrumentale në violinë të veprave “Baresha” dhe “Këngës moj”, interpretuar nga znj. Klea Cani, një kolazh të këngëve polifonike nga Grupi Polifonik i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” në Toronto, si dhe performancën artistike nga Grupi i Valleve “Fluturimi i Shqipes”.
Ekspozita “Jehonë – Echoes of the Past” është një nismë me fokus të veçantë në promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe në forcimin e lidhjeve kulturore, institucionale dhe komunitare ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.


