Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, mori pjesë në një mbrëmje kulturore të zhvilluar në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Toronto.
Aktiviteti mblodhi artdashës dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar për të vizituar ekspozitën personale të piktorit Altin Muciqi, ku u prezantuan vepra të realizuara me një paletë ngjyrash të pasura, të cilat tërhoqën vëmendjen e publikut të pranishëm.
Veprat e ekspozuara shquhen për energjinë vizuale, lëvizjen e lirë të penelit dhe interpretimin emocional të peizazheve dhe motiveve shqiptare, ku ngjyra dhe drita ndërthuren për të krijuar thellësi dhe ndjesi reflektimi.
Kjo mbrëmje u vlerësua si një tjetër shembull i suksesshëm i bashkëpunimit dhe promovimit të artit shqiptar në diasporë, duke sjellë ngrohtësi, art dhe frymë bashkimi në zemër të komunitetit shqiptar.



