Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze, Alb TV–Canada, si edhe shoqata të tjera të komunitetit shqiptar në Kanada, organizoi një mbrëmje përkujtimore në nder të dyvjetorit të ndarjes nga jeta të kolosit të artit shqiptar, Mirush Kabashi, në praninë e familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve.
Mirush Kabashi la pas një trashëgimi të pasur artistike dhe njerëzore, një histori që fton çdo brez të reflektojë dhe të japë kontributin e vet për një botë më të drejtë dhe më të mirë. Ai ishte një aktor i jetës reale, jo vetëm në dimensionin artistik, por mbi të gjitha në atë human dhe shoqëror.
Përmes interpretimit, imazhit dhe fjalës së tij, Mirushi përcillte mesazhe që shkonin përtej asaj që lexohet në sipërfaqe; çdo shprehje, por edhe çdo heshtje e tij, fliste fuqishëm, veçanërisht në momentet kur liria e shprehjes ishte e kufizuar. Ironia e hidhur dhe fjala e mençur përçonin revoltën e thellë ndaj padrejtësive dhe falsitetit të realitetit.
Ashtu si filozofët e mëdhenj të historisë, ai nuk u tremb as nga dënimi dhe as nga vdekja. Mirush Kabashi nuk është larguar kurrë nga bota shpirtërore dhe kulturore e kombit; ai do të mbetet i paharruar dhe i nderuar ndër breza si një emblemë e artit tonë kombëtar.
Mirënjohje e thellë për krenarinë që na mbush shpirtin, falë figurave të pazëvendësueshme të kombit tonë.



