Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada zhvilloi një takim virtual me juristë, avokatë dhe profesionistë të tjerë shqiptarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin e drejtësisë në të gjithë Kanadanë.
Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe krijimit të një rrjeti profesional ndërmjet ekspertëve të fushës së ligjit, me qëllim shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira.
Krijimi i këtij rrjeti synon të nxisë bashkëpunimin profesional, të forcojë lidhjet me institucionet në Shqipëri dhe të krijojë mundësi të reja për kontributin e diasporës shqiptare në zhvillimin dhe promovimin e shtetit të së drejtës.



