Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, zhvilloi një takim virtual me mjekë dhe profesionistë shqiptarë që operojnë në sektorin e shëndetësisë në të gjithë Kanadanë.
Gjatë takimit u diskutua mbi krijimin e fondacionit “Dr. Agron Aliaj”, me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe për të zgjeruar rrjetin profesional ndërmjet mjekëve, infermierëve, specialistëve të shëndetësisë dhe studentëve të shkencave mjekësore me origjinë shqiptare, si dhe përfshirjen e tyre në mundësitë për bashkëpunim dhe ndarjen e ekspertizës me Shqipërinë.
Në nder të Dr. Agron Aliajt, kjo nismë synon të bashkojë profesionistët shqiptarë të shëndetësisë në Kanada, të udhëhequr nga motivimi më fisnik i kësaj fushe, humanizmi dhe nga përkushtimi për të mbajtur gjallë misionin e profesionit në frymën e Betimit të Hipokratit.



