Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kanada, znj. Artemis Malo, mori pjesë në takimet e zhvilluara në Ottawa, në kuadër të vizitës së Sekretares së Përgjithshme të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, znj. Belén Martínez Carbonell, si dhe të të Dërguarit të Posaçëm të Presidentes së Komisionit Evropian për partneritetin BE–Kanada, z. Joost Korte.
Gjatë vizitës u zhvilluan takime me përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit të Kanadasë, përfshirë Kryeministrin Mark Carney, si dhe me zyrtarë të lartë të Global Affairs Canada, ku u diskutua për forcimin e bashkëpunimit në fushat e sigurisë, politikës së jashtme dhe tregtisë.
Sekretarja e Përgjithshme Martínez Carbonell përgëzoi rrugëtimin dhe progresin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar vendosmërinë e vendit në këtë proces dhe shprehur bindjen se Shqipëria së shpejti do të bëhet një shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Vizita përkoi gjithashtu me përvjetorin e katërt të agresionit rus ndaj Ukrainës, duke rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.



