Më 28 Nëntor 2025, u zhvillua ceremonia e ngritjes së flamurit shqiptar në Bashkinë e Kitchener-Waterloo, e pasuar nga mbrëmja festive e organizuar nga Kryesia e “Bashkimit Kombëtar” për të nderuar 113-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Në këtë ngjarje ishin të pranishme znj. Artemis Malo, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, dhe znj. Bardish Chagger, deputete në qytetin e Kitchener-Waterloo. Ambasadorja Malo u shoqërua nga znj. Elisabeta Frroku, Sekretare e Dytë e Përfaqësisë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Malo theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare dhe rolin kyç të komunitetit shqiptaro-kanadez në forcimin e lidhjeve kulturore dhe institucionale midis Kanadasë dhe Shqipërisë. Nga ana tjetër, deputetja Chagger falëndëroi komunitetin shqiptaro-kanadez për kontributin e tij të vazhdueshëm në jetën kulturore dhe sociale të qytetit të Kitchener-Waterloo, duke theksuar se pjesëmarrja dhe aktivitetet e këtij komuniteti pasurojnë mozaikun multikulturor të qytetit dhe forcojnë lidhjet midis komunitetit dhe institucioneve lokale.


