Me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada organizoi pritjen zyrtare në Otava me praninë e anëtarëve të Qeverisë së Kanadasë, senatorëve, anëtarëve të parlamentit, krerëve te misioneve diplomatike, kolegëve të Departmentit të Punëve të Jashtme, Tregëtisë dhe Zhvillimit të Kanadasë, përfshirë Ndihmës Zëvendësministrin për Evropën, Lindjen e Mesme dhe Magrebin dhe Shefin e Protokollit të Kanadasë, zyrtarë të niveleve drejtuese nga disa Departamente, miq të Shqipërisë dhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Ermal Muça, krahas të tjerave, u fokusua në arritjet e Shqipërisë dhe impaktin e shkëmbimeve të nivelit të lartë në bashkëpunimin me Kanadanë në rrafshin dy dhe shumëpalësh.
Ahmed Hussen, Ministri kanadez i Zhvillimit Ndërkombëtar, përcolli mesazhet e urimit dhe përshëndetjet në emër të Qeverisë së Kanadasë, gjatë së cilës vlerësoi zhvillimin e marrëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë. Duke cilësuar Shqipërinë partner kyç të Kanadasë në rajon, Hussen theksoi se Kanadaja, si partner i ngushtë i BE-së, mbështet plotësisht antarësimin e Shqipërisë në BE.
Gjatë pritjes, znj. Entela Galanxhi, znj. Mara Çako dhe z. Qazim Kallushi, muzikantë shqiptaro-kanadezë nga Toronto, performuan vepra nga kompozitorët shqiptarë dhe të huaj.