Znj. Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një vizitë zyrtare në Kanada, me ftesë të homologut të saj kanadez. Delegacioni parlamentar përbëhej nga z. Agron Gjekmarkaj, Zëvendëskryetar i Kuvendit dhe z. Eduard Ndreca, anëtar i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Kanada.
Në nisje të vizitës zyrtare, delegacioni shqiptar u takua, në Toronto, me Kryetarin e Asamblesë Legjislative të Ontarios, z. Ted Arnott. Në takim mori pjesë dhe Ambasadori i RSH-së në Kanada, z. Ermal Muça.
Ndër çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi renditen bashkëpunimi i shkëlqyer politik, ekonomik, arsimor dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Ontarios. Gjatë takimit, u bë me dije se Kuvendi dhe Asambleja Legjislative do të vijojnë të nxisin e mbështesin këtë bashkëpunim, duke marrë në konsideratë se mundësitë e gjera për bashkëpunim, duke shfrytëzuar përvojat e Asamblesë mbi lidhjen me zgjedhësit dhe edukimin demokratik të rinisë nëpërmjet pjesëmarrjes në proceset parlamentare.
Një temë tjetër e diskutuar dhe e cila përbën interes ishte dhe roli dhe rëndësia e komunitetit shqiptar në Kanada. Prezenca aktive dhe dinamike e komunitetit shqiptar në Kanada dhe Provincën e Ontarios, shërben si një urë bashkëpunimi e miqësie ndërmjet dy vendeve. Përcaktimi me ligj i nëntorit si muaji i trashëgimisë shqiptare në Ontario është një konfirmim i kontributit ekonomik, kulturor e social të diasporës shqiptare dhe premisë e mundësive të gjera të këtij bashkëpunimi.
Në përfundim të takimit, Kryetari i Asamblesë Legjislative të Ontarios, Ted Arnott, vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar, vlerësimin e lartë nga qytetarët dhe institucionet, veprimtaritë e larmishme kulturore gjatë muajit të trashëgimisë shqiptare dhe intensifikimin e bashkëpunimit me Kuvendin.