Më 29-30 prill 2023, në ambientet e Ambasadës shqiptare në Otava, Ambasadori Muça mirëpriti sipërmarrës ndër radhët e diasporës shqiptare në Kanada, anëtarë të Lidhjes së Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze, si edhe mori pjesë në takimin e organizuar në Otava nga Lidhja e Bizneseve shqiptaro-kanadeze, me prani të pronarëve dhe përfaqësuesve të disa kompanive nga Ontario dhe Kebeku.
Në bashkëbisedimin gjatë dy ditëve, krahas të tjerash, Ambasadori Muça u shpreh se nga njëra anë Rrjeti i Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze përpiqet të evidentojë dhe antarësojë sipërmarrjet në pronësi apo menaxhim të anëtarëve të komunitetit shqiptar nga të gjitha trevat shqiptare që operojnë në Kanada, duke u lehtësuar atyre njohjen dhe, kur është e përshtatshme, bashkëpunimin me njëri-tjetrin brenda parimeve të të bërit biznes si edhe nga ana tjetër synon që njohjet dhe ekspertizën që zotëron mbi mënyrat e të bërit biznes në Kanada dhe në vendin e origjinës, t'i kthejë në mundësi të reja aktiviteti tregtar apo investimesh aty ku ka interes.
Gjithashtu përpos rrjetëzimit të bizneseve shqiptare që operojnë në Kanada, Rrjeti i Bizneseve Shqiptaro-Kanadeze mund të luajë rol të rëndësishëm, lehtësues edhe përsa i përket fuqizimit të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare ndërmjet vendit të origjinës me Kanadanë, si edhe kanalizimit të investimeve ndër radhët e antarësisë së vet apo më gjerë nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Duke dhënë shembuj të investimeve në Shqipëri të disa kompanive të konsoliduara me pronarë shqiptarë nga Toronto, si shembuj frymëzues dhe tregues konkret të mundësive në këtë drejtim, Ambasadori Muça në përfundim të fjalës së tij theksoi vijimin e angazhimit për bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje të vazhdueshme, përfshirë projekte të përbashkëta, lehtësimin e iniciativave të mundshme në drejtim të shfrytëzimit të mëtejshëm të potencialeve ekzistuese për investime dhe shkëmbime tregtare.