Kënaqësi të ishim pjesë e festimeve për Vitin e Ri Kinez të Gjarprit në qytetin Langfang të Kinës, si të ftuar të veçantë të Sekretariatit të Bashkëpunimit Kinë-VEQL në Ministrinë e Jashtme të Kinës, ku patëm mundësinë të vizitonim ndër të tjera edhe Panairin Ndërkombëtar të këtij qyteti e të shikonim nga afër prodhimet e ekspozuara në pavijonin e ngritur enkas për produktet e ndryshme ushqimore e të tjera, nga vendet e EQL-së. Dhe po aq kënaqësi të shikonim mjaltin shqiptar të kompanisë “Morava”, i ekspozuar në një nga stendat kryesore të këtij panairi, i cili vizitohej nga mijëra shtetas kinezë e të huaj, të pranishëm në këtë panair.
Ish-Ambasadorja kineze në Shqipëri dhe aktualisht Përfaqësuesja Speciale e MJ të Kinës për Bashkëpunimin Kinë-VEQL, Znj. Jiang Yu ishte kujdesur që mjalti i kompanisë shqiptare “Morava” të vendosej në qendër të pavijonit dhe në momentin e vizitës tonë, i bëri një surprizë të këndshme sipërmarrësit të kësaj kompanie Z. Eugen Skermo duke i telefonuar direkt për t’i shprehur rëndësinë dhe mbështetjen që pala kineze i kushton eksporteve të produkteve të ndryshme nga Shqipëria, përfshirë edhe mjaltin “Morava”. Në bisedën e shkurtër on-line, Znj. Jiang Yu i kërkoi Z. Skermo që së bashku me prodhues të tjerë shqiptarë të marrin pjesë me produktet e tyre në Panairin e 4-ët Ndërkombëtar në Ningbo të Kinës, i cili do të hapet në mes të muajit maj të këtij viti, duke premtuar mbështetjen e saj.
Në intervistën e shkurtër për radion “Ejani Studio”, i Ngarkuari me Punë a.i i Ambasadës së Shqipërisë në Pekin Z. Novruz Çeta vlerësoi cilësinë mjaft të lartë të mjaltit “Morava” por edhe të prodhimeve të tjera shqiptare, të cilat mund të hyjnë në tregun kinez dhe përcolli urimet me rastin e Vitit të Ri Kinez të Gjarprit.
( https://www.facebook.com/EjaniStudioPekin/videos/1190127509172118 )