Gjatë takimit të zhvilluar në Strasburg me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës z. Alain Berset në datën 15 qershor 2026, Ministri i Drejtësisë Toni Gogu, nënshkroi në emër të Republikës së Shqipërisë tre konventa të rëndësishme për forcimin e angazhimit të vendit tonë në kuadër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Ndër to rëndësi të veçantë merr nënshkrimi i Konventës për “Krijimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën“ e cila është mekanizmi ndërkombëtar krijuar për të shqyrtuar dhe vendosur mbi kërkesat për kompensimin e dëmeve, humbjeve dhe pasojave shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Nënshkrimi i kësaj konvente nga ana e Shqipërisë shpreh mbështetjen e qartë për drejtësinë ndërkombëtare, llogaridhënien dhe parimin se shkeljet e rënda të së drejtës ndërkombëtarë nuk mund të kalojnë pa pasoja. Në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po kërkon mekanizma për garantimin e reparacionit dhe drejtësisë për viktimat e luftës, nënshkrimi i kësaj konvente e pozicionon Shqipërinë përkrah vendeve që mbështetin rendin ndërkombëtar dhe të bazuar në rregulla deh respektimin e sovranitetit të shteteve.
Konventa e dytë me rëndësi të barazvlefshme me të parën që u nënshkrua është “ Konventa kuadër për inteligjencën artificiale, të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës“. Rëndësia e saj qëndron në faktin se ajo përbën instrumentin e parë ndërkombëtar që vendos standardet për zhvillimin dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në përputhje me të drejtat themelore, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në një epokë ku teknologjia po zhvillohet me ritme të jashtëzakonshme, kjo konventë synon të garantojë që inovacioni të ecë paralelisht me mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, transparencës llogaridhënies dhe sigurisë juridike të qytetarëve.
Konventa e tretë e nënshkruar është “Konventa për mbrojtjen e profesionit të avokatit” që është instrumenti i parë ndërkombëtar që garanton mbrojtjen e pavarësisë së avokatëve dhe ushtrimin e lirë të këtij profesioni. Konventa synon që të sigurojë se avokatët mund të kryejnë detyrën e tyre pa u përballur me presione, kërcënime apo ndërhyrje të papërshtatshme duke forcuar kësisoj aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe duke konsoliduar shtetin e së drejtës. Për Shqipërinë nënshkrimi i kësaj konvente tregon edhe njëherë përkushtimin ndaj konsolidimit të reformave në drejtësi dhe forcimin e garancive demokratike.
Nënshkrimi i këtyre tre konventave konfirmon rolin aktiv të Shqipërisë në mbështetje të misionit të Këshillit të Evropës si edhe njëkohësisht dëshmon vullnetin e vendit për të kontribuar në forcimin e drejtësisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe përballimin e sfidave të reja që prekin demokracitë evropiane. Përmes këtyre angazhimeve, Shqipëria po pozicionohet si një partnere e besueshme në promovimin e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne.


