Zë

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Megi Fino, përfaqësoi Shqipërinë në Sesionin e 135-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që u zhvillua në Kishinau, Moldavi, më 14–15 maj 2026.
Në fokus të Ministerialit ishin mbështetja për Ukrainën, forcimi i sigurisë demokratike në Evropë, Pakti i ri Demokratik i kësaj organizate, lufta kundër manipulimit dhe ndërhyrjes së huaj në informacion, si dhe roli i Këshillit të Evropës në mbrojtje të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës.
Gjatë punimeve, Zv Ministrja Fino rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe për llogaridhënien ndaj agresionit rus.
Zv Ministrja Fino paraqiti gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për një Këshill Evrope më aktiv, më praktik dhe më të pranishëm politikisht, të ankoruar në mandatin e tij themelor – mbrojtjen e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës. Ajo nënvizoi rëndësinë e Paktit të ri Demokratik për Evropën dhe të përpjekjeve për t’iu përgjigjur ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit, pa cënuar lirinë e shprehjes, pluralizmin politik dhe hapësirën demokratike.
Në ndërhyrjen e saj, Zv Ministrja Fino ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës mbetet i domosdoshëm dhe i vonuar. Ajo nënvizoi se përfshirja e Kosovës në sistemin evropian të të drejtave, standardeve, detyrimeve, monitorimit dhe dialogut do ta forconte si Kosovën, ashtu edhe vetë misionin e Këshillit të Evropës.
Në kuadër të Ministerialit, Zv Ministrja Fino mori pjesë edhe në tryezën mbi sigurinë demokratike, FIMI-n dhe integritetin zgjedhor, ku prezantoi përqasjen e Shqipërisë pas miratimit në korrik 2025 të Strategjisë Kombëtare kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030. Shqipëria mbështet një përgjigje të koordinuar evropiane ndaj këtyre sfidave, të bazuar në reziliencë institucionale, transparencë, edukim mediatik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe respekt të plotë për të drejtat themelore.


