Me rastin e 30-vjetorit të Ditës së Fitores dhe të Veteranëve, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kalendarit kombëtar kroat, Shqipëria ishte e ftuar si mike nderi në paradën ushtarake të organizuar në kryeqytetin kroat.
Me ftesë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, pjesëmarrjen në ceremoni e përfaqësoi Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë, gjeneral-lejtnant Arben Kingji. Shqipëria u përfaqësua denjësisht në këtë aktivitet të nivelit të lartë, duke nënvizuar miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Kroacinë.
Pjesëmarrja e flamurtarëve shqiptarë, që marshuan krah për krah me Forcat e Armatosura Kroate dhe aleate të tjera, ishte një simbol i qartë i bashkëpunimit të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe i vlerësimit reciprok ndërmjet vendeve tona.
Ky moment solemn pasqyron gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për të forcuar partneritetet rajonale dhe për të promovuar stabilitetin e përbashkët në kuadër të NATO-s dhe bashkëpunimit dypalësh.