Qyteti i Zagrebit shënoi të shtunën Ditën e Pakicave Kombëtare, duke vënë në pah traditat, zakonet dhe kontributet e shumë komuniteteve pakicë në Kroaci.
Grupet e pakicave prezantuan trashëgiminë e tyre përmes ushqimeve tradicionale, kostumeve, muzikës, valleve dhe objekteve kulturore.
Komuniteti shqiptar në Zagreb, me mbështetjen e Këshillit të Pakicës Shqiptare në Zagreb dhe Shoqatës Shkëndija, organizoi stendën shqiptare me ushqime tradicionale dhe performanca kulturore të gjalla, përfshirë edhe vallet e fëmijëve që tërhoqën interesin e madh të vizitorëve.
Stenda u vizitua nga Ambasadorja Donika Hoxha, e cila u takua me qytetarë, përfaqësues të pakicave, ambasadorë, deputetë dhe anëtarë të Këshillit të Qytetit të Zagrebit.
Kjo festë ishte një ditë e gjallë dhe shumëngjyrëshe, një afirmim i diversitetit, bashkëjetesës dhe mirënjohjes ndaj qytetit të Zagrebit dhe Republikës së Kroacisë si vend mikpritës.