Më 7 tetor 2025, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, znj. Donika Hoxha, u prit në Ministrinë e Mbrojtjes nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kroacisë, z. Ivan Anušić.
Gjatë takimit u diskutua për forcimin e bashkëpunimit trilateral ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, zhvillimet në sigurinë globale dhe euroatlantike, situatën në Ukrainë, si dhe angazhimin e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Ministri Anušić theksoi se Shqipëria dhe Kroacia janë vende mike dhe aleate në NATO, të bashkuara nga interesa të përbashkëta dhe një vizion i përbashkët për të ardhmen e rajonit. Ai shprehu bindjen se Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes, i nënshkruar në janar 2024, dhe Deklarata e nënshkruar ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në mars 2025, do të japin shtysë të re dhe do të thellojnë më tej bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ambasadorja Hoxha falënderoi Ministrin Anušić për pritjen e ngrohtë dhe riafirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të forcuar më tej bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve dhe për të kontribuar në një Evropë Juglindore më të sigurt dhe më rezistente.