Zagreb – Shoqata Teatrore Shqiptare në Kroaci “Mërgimtari” çeli edicionin e tretë të festivalit teatror kushtuar pakicave kombëtare që jetojnë në Kroaci. Përgjatë një jave, grupe artistike nga komunitete të ndryshme do të interpretojnë shfaqje në gjuhët e tyre amtare, duke promovuar gjuhën, kulturën dhe identitetin e tyre.
Në ceremoninë hapëse morën pjesë përfaqësues të institucioneve kroate, ambasadorë dhe drejtues të komuniteteve të pakicave, përfshirë edhe Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb, e cila ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme këtë nismë kulturore.
Festivali “Mërgimtari” konsiderohet një shembull i suksesshëm i bashkëjetesës kulturore, tolerancës dhe promovimit të diversitetit në Kroaci. Kjo veprimtari jo vetëm ruan traditat e komunitetit shqiptar, por shërben edhe si urë bashkëpunimi ndërmjet kulturave.
Aktivitetet do të vijojnë gjatë gjithë javës, me pjesëmarrje të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe me shfaqje që trajtojnë tema sociale, identitare dhe historike.