Në kuadër të Muajit të Kuzhinës Shqiptare në mbarë botën, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zagreb organizoi një mbrëmje kushtuar gastronomisë, kulturës dhe muzikës shqiptare, duke festuar miqësinë ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë.
Eventi mblodhi përfaqësues të institucioneve kroate, trupit diplomatik, komunitetit të biznesit e kulturës, si dhe anëtarë të diasporës shqiptare në Kroaci.
Të ftuarit shijuan një eksperiencë të veçantë kulinare të përgatitur nga Shefi Senad Perfati nga Shkodra, i cili prezantoi gatime tradicionale të veriut shqiptar. Çdo pjatë rrëfente historinë e trashëgimisë, kujtimeve dhe ngrohtësisë mesdhetare që karakterizon kuzhinën shqiptare.
Mbrëmja u pasurua edhe me performancën magjike të artisteve të jazz-it Tringa Sadiku dhe Marigona Komani, muzika e të cilave solli energjinë, krijimtarinë dhe shpirtin e Shqipërisë së re — të rrënjosur në traditë, por të hapur ndaj botës.
Ambasadorja Donika Hoxha përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se “kultura dhe kuzhina janë ndër format më të sinqerta të diplomacisë, sepse na bashkojnë përmes shijes, emocioneve dhe krijimtarisë.”
Një falënderim i veçantë iu drejtua **AlbChef** për mbështetjen dhe kontributin në promovimin e kuzhinës shqiptare jashtë vendit.




