Marrëdheniet dypalëshe
Shqipëria dhe Kroacia janë vende anëtare të NATO-s dhe marrëdhëniet dypalëshe mbështeten në një bashkëpunim që intensifikohet vazhdimisht në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Në vitin 2024, Shqipëria dhe Kroacia festuan 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, duke konfirmuar angazhimin e palëkundur ndaj Aleancës së NATO për forcimin e arkitekturës së sigurisëndërkombëtare. Integrimi në Bashkimin Evropian është prioritet madhor i politikës sonë të jashtme dhe Kroacia, si vend mik, mbështet plotësisht Shqipërinë në këtë proces, bazuar në dokumentin e Partneritetit Evropian, nënshkruar midis dy qeverive në vitin 2018.
Shqipëria, e njohur si një vend që ka luajtur dhe luan një rol konstruktiv e të moderuar në rajon, e konsideron Kroacinë një partner të rëndësishëm jo vetëm në aspektin dypalësh, por edhe atë rajonal, duke e vlerësuar si aktor të rëndësishëm për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. E ardhmja e rajonit është integrimi evropian dhe euro-atlantik. Shqipëria vlerëson mbështetjen e Kroacisë sa i përket integrimit evropian, si dhe gatishmërinë e Kroacisë për të asistuar vendin tonë në këtë proces të rëndësishëm. Kroacia konsiderohet si një model suksesi në rajon, pasi udhëtimi i saj drejt anëtarësdimit të plotë u realizua në një kohë të shkurtër, ndërsa në 1 janar 2023, Kroacia u bë anëtari më i ri në zonën Schengen dhe në eurozonë. Këto arritje shënuan një hap të rëndësishëm të Kroacisë drejt realizimit të synimeve strategjike të politikës së saj të jashtme pas njohjes ndërkombëtare të Kroacisë në 1992.
Shqipëria vlerëson përvojën kroate në proceset integruese evropiane dhe mbështetjen e deritanishme të dhënë nga Kroacia në këtë proces, duke qënë të bindur se kjo mbështetje do të vijojë edhe për fazën aktuale ku ndodhet vendi ynë: procesit të negociatave të anëtarësimit.
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimeve tregtare mbetet një sfidë për të ardhmen. Energjia, turizmi, transporti, bujqësia, kultura dhe arti janë disa nga fushat e rëndësishme të këtij bashkëpunimi.
Historik i marrëdhënieve dypalëshe
Shqipëria e ka njohur shtetin e ri të Kroacisë më datë 21.01.1992 dhe dy vendet tona kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike më 25.08.1992.
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kroacisë vlerësohen si të shkëlqyera dhe nuk ka asnjë çështje të hapur mes tyre. Midis palёve zhvillohet njё dialog politik intensiv, pёr marrëdhëniet midis dy vendeve, situatën nё rajon dhe më gjerë. Vizitat e nivelit të lartë dhe shumë të lartë, si dhe konsultimet diplomatike janë të shpeshta dhe konstruktive.
Kroacia ёshtё njё aleate e rëndësishme për Shqipёrinё nё rajon, me të cilën qëndrimet dhe pozicionet për çështjet rajonale dhe më gjerë, janë në të njëjtën linjë. Kroacia ka qenë një bashkёudhёtare nё procesin e anëtarësimit nё NATO dhe, midis dy vendeve, zhvillohet një bashkëpunim i ngushtë në kuadër të reformave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Anëtarësimi i Kroacisë në BE, më 1 korrik 2013, është një arritje e madhe dhe ngjarje historike për të gjithë rajonin. Shqipëria ka interes për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe përfitimin nga eksperienca kroate në kuadër të integrimit evropian dhe veçanërisht në mbarëvajtjen e procesit të negociatave të anëtarësimit. Kroacia në 1 janar 2023, u anëtarësia njëkohësisht në zonën Schengen dhe në eurozonë. Këto arritje shënuan një hap të rëndësishëm të Kroacisë drejt realizimit të synimeve strategjike të politikës së saj të jashtme pas njohjes ndërkombëtare të Kroacisë në 1992. Tashmë, i vetmi prioritet strategjik i politikës së jashtme kroate mbetet anëtarësimi në Organizatën e Bashkëpunimit Ekonomik dhe Zhvillimit(OECD), për të cilën shpresohet të realizohet në vitin 2026.
Ka një interes gjithnjё nё rritje nga tё dyja palёt pёr intensifikimin e bashkёpunimit ekonomik, shkëmbimet tregtare, bashkëpunimin kulturor, arsimor etj. Me Kroacinë janë nënshkruar rreth 60 marrëveshje.
Mbështetur në politikën e jashtme, në bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke gjatë përpjekjeve të përbashkëta për anëtarësim në NATO, në qëndrimin ndaj Kosovës por edhe shiptarëve në tërësi, por edhe në balancat e reja politike në rajon, vendi që zë dhe roli që luan dhe nga historia e marrëdhënieve dhe pozicionimit të saj në rajon, Kroacia është një aleate e NATO-s për Shqipërinë në rajon, dhe marrëdhënet me të mund të shndërrohen në marrëdhënie preferenciale.
Bashkëpunimi ekonomik
Marrëdhëniet me Kroacinë zënë një vend të rëndësishëm në politikën rajonale të Shqipërisë. Ne synojmë ta bëjmë më intensiv dialogun politik me këtë vend në të gjitha nivelet, si në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, ashtu edhe në kuadër të nismave të bashkëpunimit rajonal.
Kroacia është një nga shtetet më të rëndësishme në rajonin e Ballkanit, sidomos sepse është aksi që lidh Tiranën me Evropën nëpërmjet rrugës tokësore. Janë të gjitha mundësitë dhe duhet të punohet për intensifikimin e marrëdhënieve më të forta ekonomike dhe tregtare si dhe nxitjen e investimeve të shkëmbimit të mallrave ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë, rritjen e aktiviteteve tregtare, duke pasur parasysh dhe rolin në rritje të sektorit privat, për intensifikimin e bashkëpunimit midis Dhomës së Ekonomisë Kroate dhe Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, për të promovuar produktet e tyre në panairet lokale dhe ndërkombëtare dhe për të informuar komunitetin e biznesit në lidhje me mundësitë që ekzistojnë në vendet e tyre përkatëse.
Shqipëria dhe Kroacia janë pjesë e disa projekteve strategjike për rajonin, si psh Korridori Adriatiko-Jonian, i ashtuquajtur edhe Korridori Blu, Gazsjellësi IAP (Joniano-Adriatik), si edhe kanë një bashkëpunim të shtuar në fushën e turizmit dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Të dhënat statistikore tregojnë se vëllimi tregtar ndërmjet dy vendeve gjatë vitit 2023 ka qenë 132,170 milion Euro. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ekziston një numër në rritje i kompanive kroate që investojnë apo kanë praninë e tyre fizike në Shqipëri, në fusha të tilla si industria, ndërtimi i fshatrave turistikë, marketingu dhe tregtia, këshillimet, teknologjia e informacionit, etj, si edhe mirëpriten të tjera investime kroate në vendin tonë.
Gjithashtu, kompani private shqiptare kanë shtuar në vazhdimësi interesin për tregun kroat, duke synuar një treg të ri që është tashmë pjesë e Bashkimit Evropian.
Marrëveshje të nënshkruara
KROACIA
1. Traktati për miqësi dhe bashkëpunimin midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 10.5.1993, ratifikuar me ligjin nr.7737, datë 21.7.1993.
2. Marrëveshje mbi bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 10.5.1993, hyrë në fuqi më 16.4.1994, miratuar me vendimin nr.278, datë 14.6.1993.
3. Marrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë mbi nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, nënshkruar më 10.5.1993, hyrë në fuqi më 16.4.1994, miratuar me vendimin nr.279, datë 14.6.1993.
4. Marrëveshje bashkëpunimi midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë në fushën e luftës kundër terrorizmit, trafikut të paligjshëm e përdorimit të drogës si dhe krimit të organizuar, nënshkruar më 14.12.1993, hyrë në fuqi më 14.7.1998.
5. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi heqjen e vizave diplomatike dhe të shërbimit, nënshkruar më 1.3.1994, miratuar më 12.1.1995, zbatohet përkohësisht nga datat e nënshkrimit, hyrë në fuqi më 3.8.1995.
6. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për transportin rrugor ndërkombëtar nënshkruar më 2.12.1994, zbatohet përkohësisht nga datat 5.12.1994, hyrë në fuqi më 5.7.1997.
7. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për eliminimin e taksimit të dyfishtë në lidhje me taksat mbi te ardhurat mbi kapitalin, nënshkruar më 2.12.1994, ratifikuar me ligjin nr.7937, datë 24.5.1995.
8. Marrëveshje mbi bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 2.12.1994, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit, ratifikuar me ligjin nr.7987, datë 13.9.1995.
9. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin në fushën e turizmit, nënshkruar më 1.2.1994, hyrë në fuqi më 16.2.2006, miratuar me vendimin nr.143, datë 5.4.1994.
10. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kroacisë që ndryshon marrëveshjen e transportit detar të nënshkruar më 2.12.1994, ka hyrë në fuqi më datë 22.1.2007.
11. Marrëveshje mbi bashkëpunimin arsimor, kulturor dhe shkencor midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 1.2.1994, hyrë në fuqi më 25.5.1995.
12. Protokoll mbi bashkëpunimin në fushën e shkollimit të lartë midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kroacisë për vitet shkollore 1994-1997, nënshkruar më 2.12.1994, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
13. Protokoll bashkëpunimi midis Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë, nënshkruar më 26.6.1995, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
14. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për shërbimet ajrore, nënshkruar më 2.8.1995, hyrë në fuqi më 23.6.2005.
15. Konventa konsullore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 14.9.1996.
16. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për bashkëpunim në fushën e veterinarisë, nënshkruar më 23.4.1998. (denoncuar nga Kroacia më 23.5.2013 dhe konsiderohet e përfunduar në këtë datë)
17. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së bimëve, nënshkruar më 18.8.1999.
18. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Punëve të jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 18.8.1999, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
19. Protokoll mbi bashkëpunimin në fushën e arsimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shkencës Teknologjisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Kroacisë për vitet akademike 2001/2002, 2002/2003, 2003/2004, nënshkruar më 26.3.2001, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
20. Marrëveshje e tregtisë së lirë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 27.9.2002, hyrë në fuqi më 1.6.2004.
21. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kroacisë për bashkëpunimin e ndërsjellë doganor, nënshkruar më 27.10.2003, hyrë në fuqi më 1.6.2004.
22. Marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë, nënshkruar më 27.10.2003, hyrë në fuqi më 6.9.2007.
23. Marrëveshje midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi ripranimin e personave qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm, nënshkruar më 28.1.2003, hyrë në fuqi më 15.6.2005.
24. Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 17.6.2004, hyrë në fuqi më 29.8.2006.
25. Protokolli i bashkëpunimit në fushën e integrimit ndërmjet Ministrive të Integrimit, nënshkruar më 31.5.2004, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
26. Memorandum Mirëkuptimi mbi bashkëpunimin ndërmjet zyrës së prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Kroacisë dhe zyrës së prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, nënshkruar më 30.3.2005, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
27. Memorandum mirëkuptimi mbi bashkëpunimin në fushën e Bujqësisë midis Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjen së Konsumatorit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Administrimit të Ujit të Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 29.1.2007.
28. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi mbrojtjen reciproke të informacionit të klasifikuar, nënshkruar më 19.12.2008, hyrë në fuqi më 16.7.2009.
29. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi punësimin fitimprurës të pjesëtarëve të familjeve të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore nënshkruar më 10.2.2009, hyrë në fuqi më 1.9.2009.
30. Protokolli ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë mbi zbatimin e “Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi ripranimin e personave qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm”, nënshkruar më 10.2.2009, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
31. Protokolli shtesë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi ndryshimet e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve, nënshkruar më 10.2.2009, hyrë në fuqi më 1.7.2013.
32. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi ndryshimet e Marrëveshjes dypalëshe ekonomike ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 10.2.2009, hyrë në fuqi më 1.7.2013.
33. Memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe ato teknologjike ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Drejtorisë Kombëtare të Mbrojtjes dhe Shpëtimit të Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 23.2.2010, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
34. Programi i bashkëpunimit kulturor ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kroacisë për vitet 2010, 2011 dhe 2012, nënshkruar më 27.2.2010, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
35. Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Integrimit Evropian të Republikës së Kroacisë, nënshkruar më 29.3.2010, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
36. Protokolli i Sesionit të tretë të Komitetit të përbashkët ndërqeveritar shqiptaro-kroat mbi bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik, nënshkruar më 6.12.2010.
37. Plan bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së RSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë për vitin 2010-2013, nënshkruar 3.12.2010.
38. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për zgjedhjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë kundrejt Republikës së Kroacisë”, nënshkruar më 6.3.2012 nga pala kroate, ndërsa nga pala shqiptare është nënshkruar më 10.4.2012, sipas nenit 8, hyrë në fuqi më 2.8.2012.
39. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë për ndihmën reciproke në rast fatkeqësive dhe aksidenteve të mëdha, nënshkruar më 7.10.2011, hyrë në fuqi më 28.9.2012.
40. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit, nënshkruar më 23.1.2012 hyrë në fuqi më 22.12.2015.
41. Protokolli ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës se Kroacisë për ndryshimet në “Marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës se Kroacisë për bashkëpunimin dhe Ndihmën e Ndërsjellë në Çështjet Doganore”, nënshkruar më 30.7.2013, hyrë në fuqi më 28.2.2014.
42. Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi bashkëpunimin policor, nënshkruar më 20.1.2014.
43. Marrëveshje ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë mbi Partneritetin Evropian, nënshkruar në Zagreb, më 21.3.2014, hyrë në fuqi më 17.11.2014.
44. Protokoll i Sesionit të 4 të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar për Bashkëpunimin Ekonomik Shqipëri-Kroaci, nënshkruar në Tiranë, më 5.5.2015.
45. Plan veprimi ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kroacisë në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë për vitet 2015-2018, nënshkruar më 3.11.2015, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
46. Program Bashkëpunimi në fushën e kulturës ndërmjet Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës së Kroacisë për periudhën 2016-2019, nënshkruar në Zagreb, më 17.6.2016, hyrë në fuqi datën e nënshkrimit.
47. Protokoll i takimit të Komisionit të Përbashkët shqiptaro-kroat të transportit rrugor ndërkombëtar, nënshkruar më 19.4.2018.
48. Protokolli i Sesionit të 5-të të Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik Shqipëri-Kroaci, nënshkruar më 15.5.2018.
49. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve të Kroacisë në fushën e bashkëpunimit të shërbimit zjarrfikës, nënshkruar më 29.9.2018, hyrë në fuqi në datën e nënshkrimit.
50. Memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë mbi forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë’’ nënshkruar më 4 dhjetor 2018 dhe hyn në fuqi 30 ditë nga data e nënshkrimit, respektivisht më 2 Janar 2019.
51. Deklarata e Partneritetit të Bashkëpunimit Strategjik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Kroacisë, nënshkruar më 4.12.2018
52. Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë per bashkepunimin ne fushen e mbrojtjes nenshkruar ne Zagreb 12 mars 2019.
53. Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Zejtarisë të Republikës së Kroacisë per bashkepunimin ne fushen e Sipërmarrjes nënshkruar më 19 korrik 2019.
54. Memorandumi mirëkuptimi ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kroacisë “Për rehabilitimin e shkollës 9-vjecare “Iliria” në Fushë-Krujë, Republika e Shqipërisë, nënshkruar më 24.12.2020.
55. Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore, si dhe Marrëveshja Administrative për zbatimin e saj, nënshkruar më 2.10.2023.
56. Plani i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës të Kroacisë në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë për periudhën 2024-2026, nënshkruar më 2.10.2023.
57. Memorandum Bashkëpunimi në fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes mes dy Ministrive të Mbrojtjes, nënshkruar në 25 Janar 2024.