Në vigjilje të festës së 1 Qershorit, në ambjentet e Ambasadës u organizua një aktivitet festiv për fëmijët e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, me pjesëmarrjen edhe të prindërve dhe mësueses Melita Orešković. Fëmijët u mirëpritën në Ambasadë nga Ambasadorja Hoxha, ndërsa ambjentet ishin zbukuruar me ekspozitën e vizatimeve të nxënësve të mësimit shqip nga e gjithe Kroacia.
Ambasadorja Hoxha zhvilloi një bashkëbisedim të ngrohtë e tejet të veçantë me fëmijët, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe kureshtjes fëminore për punën që kryen një ambasador, për lojërat e fëmijëve përpara viteve 90-të në Shqipëri, për angazhimin e Ambasadës dhe të shtetit shqiptar ndaj fëmijëve në diasporë etj.
Fëmijët e kthyen Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Zagreb në një botë ngjyrash, buzëqeshjesh dhe imagjinate.
Me vizatimet e tyre zbukuruan ambientet e Ambasadës, ndërsa me zërat e tyre sollën në jetë vargje nga gjigantët e letërsisë shqiptare, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli.
Për një ditë, diplomacia ia la vendin bojërave, poezisë dhe gëzimit të fëmijëve – ashtu siç duhet të jetë çdo 1 Qershor!




