Në datën 2 tetor 2023, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama zhvillon vizitë zyrtare në Kroaci, me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Sh.T.Z. Andrej Plenković.
Në delegacionin e kryesuar nga Kryeministri Rama, morën pjesë edhe Ministri i Ekonomisë dhe Financës, z. Ervin Mete dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Albana Koçiu. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Rama u shoqërua nga Ambasadori Poda. Kryeministri Rama, krahas takimit me Homologun e tij Kroat, Kryeministrin Plenković, zhvilloi një takim edhe me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Sh.T.Z. Zoran Milanovic. Pas takimit kokë më kokë mes Kryeministrave, u vijua me takimin mes dy delegacioneve zyrtare, në përfundim të të cilit ata mbajtën një konferencë për shtyp. Dy Kryeministrat diskutuan për marrëdhëniet tradicionalisht miqësore mes dy vendeve, për nevojën e përmirësimit të bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme me interes reciprok, ku ndanë mendimin e potencialit që ekziston mes dy vendeve. Perspektiva evropiane e Shqipërisë ishte një temë e rëndësishme e takimit, ku Kroacia ritheksoi qëndrimin e saj në mbështetje të fuqishme të kësaj perspektive, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Gjithashtu, dy Kryeministrat dënuan ashpër dhunën e njësive paraushtarake serbe në veri të Kosovës. Gjatë kësaj vizite, në prani të dy kryeministrave u nënshkruan edhe marrëveshjet e mëposhtme:
Marrëveshja ndërmjet Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për sigurimet shoqërore, si dhe Marrëveshja Administrative për zbatimin e saj, që u nënshkruan nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë, Ervin Mete dhe Ministri i Punës, Sistemit Pensional, Familjes dhe Politikës Sociale, Marin Piletić.
Plani i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës të Kroacisë në fushën e shëndetësisë dhe mjekësisë për periudhën 2024-2026, nënshkruar nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kroacisë.