Ambasadori Riza Poda u prit në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Kroacisë, Gordan Grlic Radman.
Bashkëfolësit vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë, të konsoliduara ndër vite në frymën e partneritetit strategjik mes dy vendeve, dhe theksuan nevojën e forcimit të tyre në të ardhmen. Duke u ndalur në marrëdhëniet ekonomike, ata shprehën kënaqësinë për trendin rritës të volumit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, ku u nënvizua potenciali për rritjen e mëtejshme të tyre.
Temë e bisedës ishte edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe ecuria e procesit të negocimit në BE, ku Ministri Radman ritheksoi qëndrimin e Kroacisë në mbështetje të këtij procesi dhe shprehu gatishmërinë për të asistuar vendin tonë.