Në kuadër të angazhimit të Ambasadës për promovimin dhe mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe, Diplomatja Alma Kasa zhvilloi një takim në Ambasadë me Konsullin e Nderit të Shqipërisë në Osijek, njëkohësisht edhe Kryetar i Këshillit të Pakicës shqiptare në Prefekturën e Osijekut dhe Baranjës, z. Basri Haliti .
Me këtë rast, Konsullit të Nderit Haliti, iu dorëzuan tekste shkollore të gjuhës shqipe për fëmijët që ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në zonat ku ka juridiksionin Konsullata e Nderit. Shpërndarja falas e teksteve shkollore për fëmijët që mësojnë gjuhën shqipe kontribuon në drejtim të ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në diasporë.
Bashkëfolësit shkëmbyen mendime mbi aktivitetin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Osijek, duke shprehur angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes autoriteteve lokale të të dy vendeve dhe për realizimin e projekteve, për të cilat është punuar në vazhdimësi..