Në datat 14-16 maj, Ambasadori Poda mori pjesë në Forumin e 9-të të Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR) dhe takimin vjetor të Këshillit të Ministrave të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ). Këto takime u mbajtën në Sibenik, Kroaci dhë shënuan përfundimin e Kryesisë kroate të NAJ/EUSAIR-it dhe marrjen e stafetës së kryesimit nga Greqia për periudhën 1 qershor 2024 – 31 maj 2025.
Pjesëmarrësit vlerësuan kontributin dhe rolin e NAJ/EUSAIR në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, duke nënvizuar vecanërisht vlerën e shtuar të këtij instrumenti në këtë proces.
Në fjalën e tij, ndër të tjera, Ambasadori Poda theksoi se NAJ/EUSAIR është një nga meknizmat me vlerë të shtuar për të çuar përpara procesin e integrimit. Ai vlerësoi përpjekjet e Kryesisë kroate dhe të të gjitha shteteve të tjera anëtare që synojnë nxitjen e bashkëpunimit në AII si dhe zbatimin e EUSAIR. NAJ/EUSAIR ka kontribuar në arritje të rëndësishme në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe jo-anëtare të BE-së në rajonin tonë, duke ofruar mundësi unike dhe premtuese për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë pjesëmarrjes në këto takime, Ambasadori Poda pati edhe një takim me Ministrin e Jashtëm kroat, z. Gordan Grlić – Radman.