Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Ambasadës për forcimin dhe thellimin e dialogut me komunitetin shqiptar në Kroaci, Ambasadori Poda priti në një takim pune në Ambasadë znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, ish deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë.
Ambasadori Poda vlerësoi rolin dhe kontributin e cmuar të znj. Lekaj Prljaskaj, për ruajtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të botës shqiptare, të gjuhës, historisë, traditive dhe kulturës sonë të përbashkët. Ai gjithashtu nënvizoi edhe angazhimin dhe vëmendjen e treguar në drejtim të rritjes së përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në organet e administratës qendrore dhe lokale në Kroaci. Në këtë kuadër, ai falenderoi znj. Lekaj Prljaskaj për bashkëpunimin ndër vite me Ambasadën Shqiptare në Zagreb, në funksion të realizimit të projekteve të përbashkëta lidhur me komunitetin shqiptar në Kroaci.
Të dy bashkëfolësit shkëmbyen mendime mbi vijimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, duke ndarë ide dhe plane të përbashkëta në kuadër të angazhimeve të ardhshme të znj. Lekaj Prljaskaj.