Ambasadorja e sapoemëruar e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, Sh.S.Znj. Donika Hoxha, paraqiti Letrat Kredenciale pranë Sh.T. Zoran Milanović, President i Republikës së Kroacisë, në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Presidencë.
Gjatë ceremonisë, Ambasadorja Hoxha përcolli përshëndetjet e përzemërta të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj, dhe rikonfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të thelluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve. Ajo vlerësoi mbështetjen e pandërprerë që Kroacia i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, duke theksuar vlerat e përbashkëta dhe miqësinë që lidh të dy popujt.
Presidenti Milanović i uroi mirëseardhjen Ambasadores Hoxha në Kroaci dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për aspiratat evropiane të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në kuadër të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare.
Ambasadorja Hoxha, diplomate karriere dhe historiane, sjell në Zagreb një përvojë të pasur në shërbimin diplomatik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe diplomacinë publike.
Ceremonia shënon fillimin zyrtar të mandatit të saj në Kroaci.