Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, Sh.S.Znj. Donika Hoxha, u prit në një vizitë kortezie nga Ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Tranzicionit të Gjelbër e Republikës së Kroacisë, znj. Marija Vučković, së bashku me bashkëpunëtorët e saj.
Gjatë takimit u riafirmuan marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore ndërmjet Shqipërisë dhe Kroacisë, të konsoliduara më tej nga Deklarata për Partneritet Strategjik, e nënshkruar në Zagreb më 4 dhjetor 2018 nga Kryeministrat Edi Rama dhe Andrej Plenković.
Ambasadorja Hoxha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë dhe asistencën teknike që Kroacia i ka ofruar Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, veçanërisht në fushat e përafrimit me acquis-in e BE-së. Ajo theksoi interesin e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit në ekonomi, mbrojtjen e mjedisit dhe tranzicionin e gjelbër, si dhe për shkëmbimin e përvojës kroate në përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian dhe menaxhimin e projekteve.
Në fokus të veçantë të diskutimeve ishte mbrojtja e mjedisit detar dhe ndotja e Adriatikut nga burime tokësore, përfshirë menaxhimin e mbetjeve. Ambasadorja Hoxha nënvizoi rëndësinë e një qasjeje të përbashkët rajonale, duke theksuar se Mesdheu dhe Deti Adriatik janë një përgjegjësi e përbashkët, veçanërisht duke pasur parasysh rolin kyç të turizmit për ekonomitë e të dy vendeve.
Palët ranë dakord për nevojën e intensifikimit të bashkëpunimit praktik dhe shprehën gatishmërinë për zhvillimin e një takimi në nivel ministror me përfshirjen e ekspertëve, në fillim të vitit 2026, me synim identifikimin e zgjidhjeve konkrete dhe të qëndrueshme për parandalimin e ndotjes detare dhe forcimin e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe kuadrin e Konventës së Barcelonës.


