Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Kroaci, znj. Donika Hoxha, u prit në një takim nga Kryetari i Parlamentit kroat, z. Gordan Jandroković. Takimi u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar ndërmjet dy vendeve.
Ambasadorja Hoxha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike mes Shqipërisë dhe Kroacisë dhe theksoi angazhimin e përbashkët për t’i shndërruar ato në projekte konkrete ekonomike dhe tregtare. Ajo u ndal edhe tek progresi i Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE, duke nënvizuar synimin për përmbylljen e negociatave në vitin 2027 dhe anëtarësimin në vitin 2030. Ambasadorja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme kroate ndaj perspektivës evropiane të Shqipërisë.
Kryeparlamentari Jandroković vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga vendet më të avancuara të rajonit në procesin e integrimit evropian. Ai ritheksoi mbështetjen e Kroacisë dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e saj të negociatave të anëtarësimit.
Jandroković vlerësoi gjithashtu integrimin dhe kontributin pozitiv të komunitetit shqiptar në Kroaci, të cilin e cilësoi një urë të rëndësishme lidhëse midis dy vendeve.
Ambasadorja Hoxha e informoi Kryeparlamentarin për ecurinë e kapitujve negociues dhe i dorëzoi ftesën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë për një vizitë zyrtare në Tiranë. Z. Jandroković e mirëpriti ftesën, duke propozuar realizimin e vizitës në fund të shkurtit ose fillim të marsit 2026. Ai informoi gjithashtu se Parlamenti kroat do të presë Samitin Parlamentar të Iniciativës së Tre Deteve në Zagreb, më 24–25 mars 2026, dhe ka ftuar Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë të marrë pjesë.
Të dyja palët konfirmuan angazhimin për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Shqipëri–Kroaci dhe për thellimin e bashkëpunimit parlamentar, ekonomik dhe europian.


