Me ftesë të Ministrit të Drejtësisë dhe Administratës Publike të Kroacisë, z. Ivan Malenica, Zëvendësministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë, z. Klajd Karameta mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “E ardhmja e zgjerimit të BE-së: Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, që u mbajt në Zagreb më 19 dhe 20 shkurt 2024.
Në këtë Konferencë, Zëvendësministri Karameta u shoqërua nga Ambasadori Poda.
Në fjalën e tij në Konferencë, zv. Ministri Karameta vlerësoi organizimin e Konferencës, e cila ofroi një platformë diskutimi dhe ndarjen e përvojës pozitive kroate në procesin e saj të negocimit për në BE. Duke vlerësuar mësimet e nxjerra nga udhëtimi kroat në BE, Zëvendësministri falenderoi palën kroate për gatishmërinë e saj për të mbështetur dhe asistuar vendin tonë në këtë proces.
Në vijim, ai i njohu të pranishmit me ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit, si dhe me masat dhe reformat e ndërmarra për përmbushjen e detyrimeve të procesit të negocimit, veçanërisht për kapitujt 23 dhe 24.