Në Osijek u zhvilluan aktivitetet zyrtare të nisjes së festimeve për Ditën Kombëtare të Shqipërisë në Kroaci, në një ngjarje të organizuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare i Qarkut Osijek-Sllavoni-Baranja, nën drejtimin e Basri Halitit.
Ambasadorja e Shqipërisë në Kroaci, Donika Hoxha, mori pjesë në ceremoninë festive dhe në një simpozium të posaçëm kushtuar Kongresit të Manastirit dhe rëndësisë së gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit kombëtar. Në aktivitet ishin të pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës, Martin Berishaj, ish-deputetja e pakicave kombëtare, Ermina Lekaj Përljeskaj, si dhe profesori i njohur nga Maqedonia e Veriut, Skënder Hasani. Mbrëmja u përshëndet edhe nga Nënkryetari i Bashkisë së Osijekut.
Para ceremonisë, Ambasadorja Hoxha vizitoi Konsullatën e Nderit të Republikës së Shqipërisë në Osijek, ku u mirëprit nga Konsulli i Nderit, Basri Aliti. Ajo vizitoi gjithashtu Kishën e Kryqit të Shenjtë, ku ndodhet busti i Mihail Sumajt, arqipeshkvit të parë të rajonit me origjinë nga Shkodra, si dhe bustin e Nënë Terezës, vepër e një skulptori kroat, vendosur falë përkushtimit të komunitetit shqiptar.
Ngjarja u mbyll me performancën emocionuese të fëmijëve që ndjekin tre klasat e gjuhës shqipe në qytetin e Osijekut, një dëshmi e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqiptare nga brezat e rinj.
Festimet për Ditën Kombëtare të Shqipërisë do të vazhdojnë në qytete të ndryshme të Kroacisë në ditët në vijim.





