Në kuadër të vizitës së Tij shtetërore në Kroaci, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj së bashku me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Sh.T.Z. Zoran Milanoviç, vizituan komunitetin arbanas të Zarës (Zadar-it).
Presidenti Begaj vlerësoi rolin e komunitetit arbanas për ruajtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare.
Ai nënvizoi kontributin e këtij komunitetit në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe miqësore midis dy popujve dhe dy vendeve. “Këtë trashëgimi të vyer të kombit tonë që të parët tuaj e sollën këtu në Zadar, kemi detyrimin e përbashkët ta ruajmë e ta promovojmë edhe më shumë” – tha Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit vlerësoi përqasjen dhe politikat e Kroacisë për minoritetet, duke nënvizuar se shqiptarët si nga komuniteti i arbanasve apo atyre të ardhur në dekadat e fundit, përfaqësohen denjësisht në fusha të ndryshme të jetës, e deri në nivele politike në parlamentin e vendit.