Në kuadër të vizitës shtetërore në Kroaci, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj, pati një takim me përfaqësues të shoqatave shqiptare në Kroaci.
Presidenti Begaj vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në Kroaci në ruajtjen e përçimin e vlerave më të larta të kombit shqiptar, si dhe rolin e tyre të rëndësishëm në forcimin e miqësisë mes dy popujve dhe dy vendeve. Ai i cilësoi ata një urë e natyrshme lidhëse mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
Kreu i Shtetit u shpreh se është krenari të dëgjosh që komuniteti shqiptar në Kroaci është pjesë konstruktive dhe e përkushtuar e shoqërisë kroate. Duke përfunduar, Presidenti uroi që diaspora shqiptare në Kroaci të vazhdojë të jetë një burim krenarie për Shqipërinë. Takimi kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.