Ambasadorja e Shqipërisë në Kroaci, znj. Donika Hoxha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Rijekë dhe Qarkun Primorje-Gorski Kotar, ku u prit nga Prefekti Ivica Lukanović dhe Kryetarja e Bashkisë së Rijekës, Iva Rinčić.
Gjatë takimeve u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kroacisë në fusha si ekonomia, arsimi, kultura, transporti dhe lidhjet detare. Të dyja palët theksuan miqësinë e gjatë ndërmjet dy vendeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit vendor në nxitjen e zhvillimit rajonal.
Ambasadorja Hoxha vlerësoi kontributin e çmuar të komunitetit shqiptar në Rijekë, i cili vijon të jetë një urë miqësie dhe mirëkuptimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë.
Vizita riafirmoi angazhimin për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes projekteve konkrete dhe bashkëpunimit ndërnjerëzor, mbi bazën e vlerave të përbashkëta evropiane dhe respektit të ndërsjellë.