Me ftesë të Ministrit të Drejtësisë së Republikës së Kroacisë, Ivan Malenica, në datën 9 tetor 2023, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kroaci.
Gjatë kësaj vizite, z. Manja, shoqërohej nga Ambasadori Poda, si dhe nga zyrtarë të Ministrisë
së Drejtësisë. Pjesë e takimeve të Ministrit Manja ishte edhe Znj. Ermira Lekaj-Prljaskaj,
Deputete e pakicës shqiptare në Parlamentin e Kroacisë.
Krahas takimit me Homologun Malenica,ai u prit në takime të vecanta edhe nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme të Kroacisë dhe të Strukturës përkatëse për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai pati edhe një takim kortezie me Nënkryetarin e Parlamentit të Kroacisë, z. Željko Reiner.
Gjatë kësaj vizite, dy homologët diskutuan për vijimin dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh, mbështetur në Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive respektive nënshkruar në shkurt 2022. Ata vlerësuan marrëdhëniet aktuale mes dy institucioneve, ku ekspertët kroatë po punojnë ngushtësisht me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë, duke ofruar asistencë teknike për kapitujt 23 dhe 24, në kuadër të procesit të negocimit të vendit tonë me BE.
Një fokus i rëndësishëm i bisedës mes dy Ministrave ishte edhe bashkëpunimi në projekte të tjera, përfshirë transformimin e Shërbimit të Provës në Shqipëri, përmes modelit të këtij Shërbimi në Kroaci. Dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi cështje të ndryshme bilaterale dhe multilaterale.