GJUHA ZYRTARE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË ËSHTË SHQIPJA.
Gjuha shqipe. Gjuhë e familjes indo-evropiane; formon një degë më vete në këtë familje dhe nuk rrjedh prej asnjërës nga gjuhët e sotme të saj. Një pjesë e mirë e leksikut dhe elementët themelore të strukturës gramatikore të shqipes janë trashëguar nga një periudhë e lashtë dhe gjejnë analogji e përkime në gjuhë të tjera indoevropiane. Por gjatë evolucionit të saj historik shqipja ka përftuar dhe mjaft risi në strukturën e vet gramatikore dhe në leksik.
Në ndarjen e madhe të gjuhëve indoevropiane në gjuhë L (satem) dhe në gjuhë P (kentum), shqipja bën pjesë në grupin e gjuhëve L bashkë me gjuhët indo-iranike, balto-sllave dhe me armenishten. Origjina e gjuhës shqipe është një problem i vështirë për t’u sqaruar përfundimisht, pasi të dhënat për gjuhët e lashta të Ballkanit prej të cilave mund ta ketë burimin shqipja, janë tepër të varfra. Dy janë tezat kryesore për prejardhjen e gjuhës shqipe: teza ilire dhe teza trake. Më e argumentuar nga ana historike dhe gjuhësore është teza sipas së cilës Shqiptarët janë pasardhës të Ilirëve dhe shqipja pasardhëse e ilirishtes.
Kjo tezë mbështetet në një varg argumentesh historike dhe gjuhësore, ndër të cilat më me peshë janë: 1) Shqipja flitet sot në një pjesë të trojeve ku në periudhën antike flitej ilirishtja. Trojet e sotme ku flitet gjuha shqipe, në krahasim me trojet e dikurshme të saj, janë rezultat rrudhjeje për arsye historike të njohura. 2) Ato pak elemente gjuhësore që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. 3) Format e toponimeve të lashta antike, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato, janë zhvilluar në përputhje me rregullat e fonetikës historike të gjuhës shqipe. 4) Marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten tregojnë se shqipja është formuar si gjuhë në një periudhë të hershme, në fqinjësi me këto gjuhë. 5) Të dhënat arkeologjike dhe të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga Ilirët te Shqiptarët.
Kontaktet e vazhdueshme të popullit shqiptar me popuj të tjerë kanë lënë gjurmë edhe në gjuhë, sidomos në leksik. Në leksikun e shqipes ka huazime nga greqishtja e vjetër dhe e re, nga latinishtja dhe më pas nga italishtja, nga gjuhët sllave të Ballkanit, nga turqishtja etj. Megjithatë, gjuha shqipe ka mundur të ruajë origjinalitetin e vet si gjuhë e veçantë, ka ruajtur dhe ka pasuruar me mjete të brendshme fondin e vet të trashëguar, ka ruajtur të paprekur nga ndikimet e huaja sistemin e vet gramatikor.
Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të lashta të Ballkanit, por për arsye historike të njohura, ajo është e dëshmuar me shkrim relativisht vonë. Dokumentet e para të shkruara në gjuhën shqipe, që njihen deri sot, janë të shek. XV. Të dhëna burimore dhe të dhëna të tjera të tërthorta flasin për qenien e një tradite shkrimore më të hershme. Gjatë mesjetës gjuha shqipe është quajtur arbërishte. Emërtimi i sotëm shqip, shqipe është dëshmuar me shkrim për herë të parë në “Mesharin” e Gj. Buzukut (1555)
Gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: dialektin e veriut (gegërishten) dhe dialektin e jugut (toskërishten). Që nga shkrimet e para, gjuhën shqipe e gjejmë të shkruar në dy variantet letrare kryesore të ndërtuara mbi bazën e të dy dialekteve. Disa nga dallimet dialektore janë mjaft të hershme, disa të tjera janë krijuar gjatë shek. XVII–XVIII, në kushtet e sundimit osman. Këto dallime u pasqyruan edhe në gjuhën e shkruar, e cila arriti të njësohej pas një procesi konvergjence të normës letrare që kishte filluar gjatë periudhës së Rilindjes e që u thellua veçanërisht në gjysmën e dytë të shek. XX. Akti që sanksionoi njësimin e normës letrare është Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Shqipja flitet sot nga më se shtatë milionë veta në Republikën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës, në pjesën perëndimore dhe veri-perëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në disa komuna në pjesën jug-lindore të Republikës të Malit të Zi, në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës (Republika e Serbisë), në disa vise të Greqisë, në ngulimet e lashta shqiptare të Italisë, Greqisë, Ukrainës, Bullgarisë etj., si dhe në bashkësitë shqiptare në vende të ndryshme të botës.
Shkrimet e Para Shqipe. Dokumenti i parë i datuar që njohim deri sot, i shkruar në gjuhën shqipe, është Formula e pagëzimit e v. 1462. Një tjetër dokument pas tij, Fjalorthi i Arnold fon Harfit, i përket v. 1496. Të dy shkrimet janë në dialektin verior. Dokumenti i tretë, i njohur si Ungjilli i Pashkëve ose Perikopeja e ungjillit, është një fragment ungjilli, i shkruar në dialektin jugor të shqipes me alfabetin grek, në një fletë karte të gjetur në një kodik të shek. XIV. Kjo dëshmi e parë, e shkruar në dialektin e jugut, mbahet prej një pale, e këtij shekulli, e prej të tjerësh e fundit të shek. XV ose e fillimit të shek. XVI.
Libri i parë shqip i njohur deri sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i v. 1555. Ka dëshmi të tërthorta që tregojnë se ekzistonte një traditë më e hershme e shkrimit të shqipes. Ndër to, mund të përmendet pohimi i G. Adaes, i v. 1332, që thotë se Shqiptarët kishin libra të vetat; dëshmia e Marin Barletit, i cili flet për anale me gjuhën popullore, – “in vernacula lingua” (në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës”, 1504).
Materalet janë pjesë e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe subjekt i të drejtave të autorit, falenderojmë për kontributin Anastas Dodi, Seit Mansaku, Mahir Domi.
© Copyright Akademia e Shkencave të Shqipërisë.