Pasqyra
Republika Çeke është vendi më i zhvilluar i Evropës Qendrore dhe mbulon një sipërfaqe prej 78.866 km2 dhe ka një popullsi prej 10.6 milion banorësh. Monedha zyrtare është koruna (afrs. 1 euro-24 koruna). Çekia renditet si një ndër 6 vendet më të sigurta dhe më pak fetare në botë, si dhe ka nivelin më të ultë të papunësisë në BE. Republika Ceke është një vend pluralist me demokraci parlamentare shumë –partiake. Parlamenti përbëhet nga dy Dhoma, ajo e Deputetëve (200 anëtarë) dhe Senati (81 anëtarë). Që nga viti 2013, Presidenti zgjidhet nga populli. Presidenti aktual, Petr Pavel e mori detyrën në 9 mars 2023.
Përmbledhje
Niveli aktual i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Republikës Çeke është shumë i mirë. Çekia ka dhënë e vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm për proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Zëri i Çekisë, si pjesë edhe e Grupit të Vishegradit (V4) ka qenë i rëndësishëm në lidhje me përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj evropiane. Të dy vendet tona kanë shprehur vullnetin politik të zgjerojnë edhe më tej marrëdhëniet tradicionale, duke promovuar përdorimin më efikas, të hapësirave të pa eksploruara deri më tani, në fushën ekonomike dhe të marrëdhënieve tregtare, veçanërisht në sferën e energjisë, transportit hekurudhor, turizmit, kulturës, arsimit dhe shkencës.
Marrëdhëniet dypalëshe
Marrëdhëniet diplomatike në mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë janë vendosur me 5 korrik 1922 dhe u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u rivendosen me 10 dhjetor 1945. Marrëdhëniet u ngritën në nivel ambasadori me 2 gusht 1954, u ulën në nivel të ngarkuari me punë ne vitin 1961 për t’u ri ngritur në nivel ambasadori në vitin 1992.
Nga të dyja vendet vihet re me kënaqësi, se 3-4 vitet e fundit marrëdhëniet kanë fituar një moment të ri me shkëmbim vizitash politike në nivelet më të larta. Vizita e Kryeministrit Edi Rama në Pragë, në tetor të 2015, shtroi rrugën për mundësi të reja bashkëpunimi në mes dy vendeve tona. Shumë vizita të tjera në nivel ministrash kanë ndjekur këtë vizitë.
Gjithashtu, bashkëpunim i mirë është shënuar edhe në nivel parlamentar. Shkëmbimet kanë qenë të shpeshta në të dyja anët, si në nivel të kryetarëve të Parlamenteve (2018) ashtu edhe të Komisioneve Parlamentare (2018), duke krijuar kushtet për nxitje të mëtejshme të bashkëpunimit. Në 13 shtator 2022, Ministrja për Evropën dhe Punë e Jashtme, znj. Olta Xhaçka zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Çekisë.
Paralelisht me këto vizita në nivel qeverie dhe parlamenti, Ambasada Pragë ka punuar për shtrirjen e bashkëpunimit në mes dy vendeve edhe ne nivel të qeverisjes lokale, prefekturave dhe institucioneve të tyre.
Tregtia dhe investimet dypalëshe
Marrëdhëniet pozitive dypalëshe në nivel politik janë reflektuar gjithashtu në bashkëpunimin ekonomik në mes dy vendeve, që ka shënuar një tendencë pozitive. Të dyja palët kanë shprehur interesin e përbashkët që të intensifikojnë marrëdhëniet në këtë fushë. Ky është një moment i mirë për të rritur praninë e kompanive çeke në tregun shqiptar.
Stoku i investimeve direkte çeke në Shqipëri (në mln Euro) për periudhën 2017 – T3 2022 paraqitet: Prezenca e investimeve çeke në vendin tonë ka qenë minimale përgjatë periudhës 2017 – 2020 duke shënuar vlerën 1 milion Euro përgjatë të gjithë periudhës. Në vitin 2021 ky tregues është rritur me 10 herë krahasuar me vitin paraardhës duke shënuar shifrën 10 milionë Euro. Rritja ka vijuar të jetë e konsiderueshme edhe për periudhën Janar-Shtator 2022, duke arritur në vlerën 29 milionë Euro.
Importet nga Çekia për vitin 2022 ishin përqëndruar në grupmallin ‘Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi’ (51.2%), i ndjekur nga grupmalli ‘Produkte kimike dhe plastike’ (26.5%) dhe ‘Ushqim, pije, duhan’ (8.7%).
Eksportet drejt Çekisë për vitin 2022 ishin përqëndruar në grupmallin ‘Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi’ (52.5%), i ndjekur nga grupmalli ‘Tekstile dhe këpucë’ (18.1%) dhe ‘Ushqim, pije duhan’ (17.8%).
Mekanizmi kryesor i bashkëpunimit ekonomik janë takimet e Grupit të Përbashkët të Punës Shqipëri dhe Republikës së Çekisë, Sesioni i 7-të i takimit të fundit u mbajt në Tiranë më 26 mars 2024.
Turistët çekë kanë shfaqur një interes të shtuar për të vizituar vendin tonë, gjatë gjithë vitit. Numri i turistëve çekë dhe atyre shqiptarë në vendet respektive vazhdon të rritet. Në peridhën janar-gusht 2023, Shqipërinë e vizituan 54 204 turistë çekë, 44.35% më shumë se sa gjatë vitit 2022. Që nga 31 tetori 2023, operojne dy linja direkte avioni Ryanair. dhe Wizzair, 5 herë në javë, në itinerarin Pragë-Tiranë -Pragë.