Shërbimet Konsullore
Tarifat e shërbimeve konsullore
Tarifat sipas llojeve të dokumenteve
Tarifat për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit:
Lejekalimi…………………………………………………………………….30 Euro
Tarifat për lëshimin, verifikimin dhe legalizimin e dokumenteve:
Çertifikatë e çdo lloji………………………………………………………30 Euro
Vërtetim i çdo lloji ………………………………………………………..30 Euro
Verifikimi i dokumentit……………………………………………………10 Euro
Legalizimi i dokumentit …………………………………………………..20 Euro
Tarifat për lëshimin dhe përpilimin e akteve të tjera noteriale dhe përkthimin e dokumenteve:
Përpilimi i deklaratave, autorizimeve, testamenteve, garancive dhe prokurave të posaçme………………20 Euro/faqe
Vërtetimi i dublikatave dhe kopjeve………………20 Euro/faqe
Mbrojtja dhe asistenca konsullore ndaj shtetasve shqiptarë
a) Kur një shtetas shqiptar jashtë vendit gjendet në një situatë trafikimi
b) Kur gjenden në vështirësi në shtetin e huaj dhe humbin lidhjet me familjarët e tyre në Shqipëri
c) Si mund të pajiset shtetasi shqiptar me dokumente udhëtimi
Pajisja me pasaportë
Pajisja me lejekalimi
d) Probleme lidhur me shtetësinë
a) Kur një shtetas shqiptar jashtë vendit gjendet në një situatë trafikimi
1. Si duhet të veprojë vetë shtetasi
Rasti i parë:
Shtetasi duhet të kontaktojë direkt përfaqësinë diplomatike ose konsullore në këtë vend, të deklarojë problemin dhe të kërkojë ndihmë përfshirë edhe faktin nëse ai/ajo dëshiron të kthehet në Shqipëri.
Rasti i dytë:
Shtetasi duhet të kontaktojë direkt me strukturat e policisë në vendin ku gjendet dhe të kërkojë ndihmë.
Rasti i tretë:
Në pamundësi për të kontaktuar me policinë ose me përfaqësinë diplomatike ose konsullore shtetasi mund të kontaktojë një organizatë vendase jo qeveritare që ndihmon shtetasit e huaj për raste të tilla.
2. Si duhet të veprojë Përfaqësia diplomatike ose konsullore
Identifikimi fillestar i viktimës së mundshme të trafikimit Shqiptar të mitur dhe/ose të rritur, bëhet ose direkt me paraqitjen e vetë personit ose në bashkëpunim me strukturat ndihmëse homologe, strukturat policore etj. në vendin pritës në mënyrë që të parandalohet ose ndërpritet gjendja e shfrytëzimit dhe të ndihmohet viktima.
Hapi i parë: Punonjësi i përfaqësisë diplomatike ose konsullore, që me kontaktin e parë me viktimën e mundshme apo personin në rrezik trafikimi, duhet të vlerësojë nevojat imediate që ajo/ai ka, qoftë për t’u akomoduar qoftë për t’u kthyer në Shqipëri. Përfaqësia diplomatike ose konsullore duhet të marrë të gjitha masat e duhura për të përmbushur nevojat bazike të shtetasit që paraqitet për ndihmë.
Hapi i dytë: Referimi i rastit tek Autoriteti Përgjegjës (MPJ) dhe përcjellja e kërkesës për këshillim në lidhje me hapat e mëtejshëm që duhet të ndjekë punonjësi i përfaqësisë diplomatike ose konsullore.
Hapi i tretë: Vënia në kontakt me strukturat vendase të ndihmës për viktimat e trafikimit, për të siguruar kështu marrjen e ndihmës dhe mbrojtjes së personit.
Hapi i katërt: Organizimi i kthimit në Shqipëri, me dokumentacion të rregullt, të viktimës së trafikimit, në rast se kjo është kërkuar vullnetarisht nga vetë personi.
Hapi i pestë: Ndjekja e rastit deri në zgjidhjen e plotë të tij dhe përgatitja e një informacioni përfundimtar për AP për mënyrën e zgjidhjes dhe për hapat e ndjekura që nga momenti i identifikimit deri në referimin tek agjensi të tjera apo riatdhesimin në Shqipëri.
b) Kur gjenden në vështirësi në shtetin e huaj dhe humbin lidhjet me familjarët e tyre në Shqipëri
Vështirësitë me të cilat mund të përballen shtetasit janë të natyrave nga më të ndryshmet. Për çdo rast ata mund t’u drejtohen Përfaqësive të R. SH. për t’u këshilluar apo për të kërkuar ndihmë. Duhet pasur parasysh në këto raste se përfaqësitë nuk janë zyra informacioni apo agjenci udhëtimi. Përfaqësitë ndihmojnë sidomos në rastet kur shtetasit kanë probleme dhe vështirësi me autoritetet e vendit pritës.
Shtetasit mund t’u drejtohen kurdoherë përfaqësive diplomatike dhe konsullore të R.SH. për të vendosur lidhjet me familjarët e tyre në Atdhe. Përfaqësitë shqiptare marrin përsipër njoftimin e familjarëve përmes MPJ. Prandaj dhënia e informacioneve të sakta dhe të mjaftueshme është me rëndësi.
Edhe familjarët mund të kërkojnë ndihmën e MPJ, që përmes Përfaqësive të R.SH. jashtë të vendosin lidhje me të afërmit e tyre. Duhet pasur parasysh që në këto raste Përfaqësitë nuk mund të sigurojnë informacione, n.q.s. shtetasit për të cilët interesohen, qëndrojnë ilegalisht ose janë të burgosur dhe janë shprehur negativisht për kontaktimin me ta. Rëndësi të madhe ka dhënia e informacioneve të sakta rreth familjarëve dhe të njohurve të tyre jashtë shtetit.
c) Si mund të pajiset shtetasi shqiptar me dokumente udhëtimi
Pajisja me pasaportë
NË SHQIPËRI
Shtetasit shqiptarë, me banim jashtë shtetit, do të aplikojnë për pasaportë biometrike, duke u paraqitur personalisht në mjediset e përcaktuara nga firma prodhuese për këtë qëllim. Aktualisht këto mjedise ndodhen vetëm në Shqipëri, në mjediset e Zyrave të Gjendjes Civile në Njësitë Bashkiake.
Aplikimi i shtetasve nën moshën 16 vjeç për pasaportë biometrike, bëhet vetëm në prezencë të paktën të njërit prej prindërve, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit të caktuar me prokurë të posaçme.
Pasaporta e re e ka vlefshmërinë deri në 10 vjet.
Shtetasit deri në 6 vjeç pajisen me pasaportë biometrike pa u marrë shenjat e gishtave, por kurdoherë duke qenë prezentë në procesin e aplikimit.
Pajisja me pasaportë biometrike bëhet brenda 15 ditëve nga data e aplikimit. Në momentin e marrjes në dorëzim të kësaj pasaporte, shtetasit vihen ne dijeni për pavlefshmërinë e pasaportës së mëparshme.
Pasaporta biometrike do të tërhiqet pranë Drejtorive/komisariateve të policisë nga aplikanti, përfaqësues ligjor, përfaqësuesi me prokurë të posaçme ose nga një pjesëtar i afërt i familjes (bashkëshorti/ja, prindi, fëmija).
Për shkaqe emergjente që shtetasi detyrohet të largohet nga vendi shumë shpejt, pa e pritur marrjen personalisht të pasaportës, ai duhet ta bëjë këtë largim menjëherë pas aplikimit, kohë gjatë së cilës akoma nuk ka hyrë në sistem pasaporta e re, duke autorizuar një përfaqësues me prokurë për marrjen e saj.
Në rastet kur shtetasit disponojnë viza të vlefshme në pasaportat ekzistuese, ata paraqesin para organeve të kufirit pasaportën biometrike të shoqëruar me pasaportën ekzistuese në të cilën ndodhet viza e vlefshme. Kjo vlen për sa kohë pasaportat e vjetra janë në përdorim.
Në pasaportën e re nuk lejohet të bëhen shënime për fëmijë të vegjël apo për zgjatje afati.
Në të ardhmen, nëse do të vendosen poste aplikimi për pasaporta biometrike në disa përfaqësi, rregullat e aplikimit do të bëhen të njohura paraprakisht.
Në Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore
Shtetasit shqiptarë me banim jashtë shtetit, mund të aplikojnë për t’u pajisur me pasaportë biometrike ose kartë identiteti edhe në Përfaqësitë diplomatike dhe konsullore në Athinë, Selanik, Romë, Milano, Vjenë, Berlin, Bruksel, Mynih.
Pajisja me pasaportë biometrike bëhet po pranë Përfaqësive diplomatike dhe konsullore, brenda 15 ditëve nga data e aplikimit.
Pikat e kontaktit ku qytetarët duhet të drejtohen për marrjen e informacionit për këtë qëllim, janë të afishuara në faqet zyrtare të këtyre përfaqësive.
Çfarë duhet të bëjnë shtetasit kur humbin ose duhet të zëvendësojnë pasaportën e udhëtimit?
Kur shtetasit shqiptarë humbin pasaportën, duhet që menjëherë të bëjnë denoncimin në organet policore të vendit përkatës dhe të njoftojnë Përfaqësinë diplomatike ose konsullore në atë vend.
Për t’u ripajisur me pasaportë, shtetasit që e kanë humbur atë, duhet të veprojnë njëlloj sikurse dhe shtetasit e tjerë që kërkojnë të pajisen nga e para me pasaportë, duke shtuar këtu dhe depozitimin e dokumentit denoncues për humbjen e pasaportës së parë.
Pajisja me lejekalimi
Në shtetet ku ka një përfaqësi shqiptare
Kërkesa e shtetasve shqiptarë në përfaqësitë diplomatike ose konsullore për lejekalimi, kur duhet të kthehen në Shqipëri dhe nuk kanë dokument udhëtimi, bëhet me prezencën e personit të interesuar para konsullit..
Bëhet përjashtim për prezencën e shtetasit, në rastet kur ai:
Është i ndaluar, arrestuar ose burgosur. Në këtë rast kërkesa bëhet nga autoritetet kompetente për të huajt në vendin pritës që merren me përmbarimin e veprimeve të kthimit në atdhe të personave në gjendje të parregullt;
Për arsye të forta shëndetësore, nuk mund të paraqitet në përfaqësi. Në këtë rast kërkesën e bëjnë familjarët ose për këtë paraqesin deklaratë përfaqësimi dhe dokumente të tjera bindëse.
Në shtetet ku nuk ka një përfaqësi shqiptare
Kur shtetasi shqiptar ka humbur dokumentet e udhëtimit në një vend ku nuk ka përfaqësi diplomatike apo konsullore shqiptare, ai bën kallëzimin në postin e parë të policisë së vendit përkatës për humbjen e dokumenteve të udhëtimit dhe me ndihmën e autoriteteve policore realizon kontaktin me ambasadën apo konsullatën e vendit të tij që ka në juridiksion shtetin ku ai ndodhet përkohësisht. Me ndihmën e policisë të vendit përkatës dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare që njoftohet nga familjarët e tij, bëhet i mundur shkëmbimi i informacionit dokumentues dhe pajisja me Leje kalimi nga ana e Përfaqësisë shqiptare. Dhe kjo, kurdoherë në rrugë zyrtare nëpërmjet autoriteteve policore të shtetit ku ai ndodhet.
Dokumentacioni bazë mbështetës për identitetin e kërkuesit:
Pasaportë e pavlefshme;
Kartë identiteti origjinale;
Çertifikatë lindje nga gjendja civile përkatëse, e lëshuar jo më larg se 6 muajt e fundit nga data e kërkesës, e shoqëruar me kopjen e kartës së identitetit;
Leje drejtimi automjeti, format i ri elektronik shqiptar;
Leje pune ose leje studentore me fotografi shoqëruar me dokumente bankare të vendit pritës;
Ky dokumentacion duhet të shoqërohet me denoncimin pranë autoriteteve kompetente vendase për humbjen e pasaportës;
Kërkesa për pajisje me lejekalimi e personave të mitur deri në 16 vjeç bëhet nga dy prindërit ose njëri prind, me pëlqimin e prindit tjetër. Pëlqimi jepet nëpërmjet një deklarate noteriale.
Për të miturin me një prind ose me kujdestar, kësaj kërkese i bashkëlidhen dokumente që konfirmojnë kujdestarinë mbi fëmijën.
Personi i mitur, ( i sapolindur) për t’u pajisur me lejekalimi, paraprakisht duhet të jetë regjistruar në zyrën përkatëse të gjendjes civile në vendin ku ka lindur dhe dokumenti shoqërues duhet të jetë i legalizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi.(Shih kapitullin për legalizimin e dokumenteve)
d) Probleme lidhur me shtetësinë
Fitimi, rifitimi dhe lënia e shtetësisë shqiptare.
Postet konsullore të Republikës së Shqipërisë asistojnë shtetasit shqiptarë me qëndrim jashtë vendit, për kryerjen e procedurave për fitimin, rifitimin dhe lënien e shtetësisë shqiptare.
Fitimi i shtetësisë shqiptare me lindje
Në bazë të legjislacionit shqiptar, çdo fëmijë që lind jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare.
Prindërit e fëmijës duhet të paraqiten në Përfaqësi për deklarimin e lindjes së fëmijës me dokumentacionin e nevojshëm që përfshin: aktin e lindjes së fëmijës dhe (kur është rasti) deklaratën e prindit jo shqiptar për pëlqimin e tij që fëmija të marrë shtetësinë shqiptare
Të dyja këto dokumente duhet të jenë të legalizuara nga autoriteti kompetent i vendit përkatës.
Rifitimi i shtetësisë shqiptare
Personi që ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare për shkak të premtimit për fitimin e një shtetësie tjetër, e rifiton shtetësinë shqiptare në qoftë se nuk ka fituar shtetësinë e premtuar. Edhe në këto raste paraqiten dokumente identifikuese si dhe dokumente që argumentojnë kërkesën e shtetasit shqiptar si.
Heqja dorë nga shtetësia shqiptare
Personi që ka marrë premtimin e autoritetit kompetent për fitimin e shtetësisë tjetër, aplikon për heqjen dorë nga shtetësia shqiptare.
Shënim:
Për të tria këto raste, shtetasit duhet të adresohen në Përfaqësitë diplomatike ose konsullore për të konsultuar dokumentacionin e nevojshëm që duhet të paraqesë si dhe procedurat që duhet të ndjekë për përkthimin dhe legalizimin e tyre, etj.
Dokumentet shqiptare duhet të jenë të nënshkruara nga titullarët e institucioneve që i lëshojnë ato.
Kujdes duhet t’i kushtohet gjithashtu respektimit të afateve të dorëzimit të dokumenteve dhe legalizimit të tyre.
Të gjitha pagesat për veprimet konsullore kryhen vetëm nëpërmjet sistemit bankar. Te dhënat e llogarisë bankare për këto pagesa janë:
SWIFT: CEKOCZPP
IBAN: CZ60 0300 0000 0001 8886 8484
Nr.llogarie: 188868484 / 0300