Ambasada në Pragë organizoi një pritje festive me rastin e 111 Vjetorit të Ditës së Pavarësisë dhe Ditës se Flamurit, në Kaiserštejnský Palác në qendër të Pragës. Në pritje morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, përfaqësues të lartë të Zyrës së Presidentit, deputetë të Dhomës Përfaqësuesve dhe senatorë, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të komunitetit mbarë shqiptar në Çeki si dhe miq e dashamirës të Shqipërisë.
Festa u hap nga Ambasadori Kuka, i cili ftoi pjesëmarrësit të dëgjonin Himnet Kombëtare të Shqipërisë dhe Çekisë të interpretuara nga Banda muzikore e Ministrisë së Mbrojtjes së Çekisë, për të vijuar më tej me fjalën e mirëseardhjes.
Ai u ndal dhe vuri në dukje vlerat evropiane të Shqipërisë dhe arritjet më të rëndësishme të vendit në planin e politikës së jashtme gjatë viteve të fundit, si dhe në zhvillimet pozitive që po njohin gjithnjë e më shumë vitet e fundit marrëdhëniet mes Shqipërisë e Çekisë, si përsa i përket nivelit politik, ashtu edhe shkëmbimeve tregtare dhe turistike. Numri i turistëve çekë që kanë vizituar Shqipërinë për 8 muajt e parë të 2023 ka qenë 44.3 % më i lartë se numri i turistëve çek gjatë gjithë vitit 2022. Ky është një tregues se urat e bashkëpunimit dhe kontaktet mes njerëzve po njohin gjithnjë e më shumë trend pozitiv.
Festa u shoqërua me tingujt e muzikës të luajtura nga pianisti shqiptar, që jeton e punon në Pragë prej vitesh z. Egli Prifti si dhe sopranoja çeke, znj.Klára Boudalová e cila përformoi në shqip këngë si “Lule Bore”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “O e bukura More” etj. Pas fjalimeve dhe programit muzikor, të ftuarit patën mundësinë të provonin ushqime tradicionale shqiptare, që u vlerësuan gjerësisht nga të pranishmit për larminë dhe shijet e tyre, të shoqëruar me muzikë dhe valle nga trevat shqiptare.
Newsroom
Ambasada Shqiptare në Pragë organizon pritje me rastin e 111 vjetorit të Pavarësisë