Në datat 18-21 nëntor 2025, Presidenti i Republikës, z. Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë dhe një delegacion nga Kabineti i tij, realizoi një vizitë zyrtare në Pragë, me ftesë të homologut të tij çek Presidentit Petr Pavel.
Presidenti Begaj u prit dhe zhvilloi bisedime me Presidentin Pavel, Zv. Presidentin e parë të Senatit, z. Jiří Drahoš, me Presidentin e sapo zgjedhur të Dhomës së Deputetëve, z. Tomio Okamura, si dhe për të përmbyllur takimet zyrtare, me Kryeministrin në detyrë z. Petr Fiala. Në përfundim të ditës, Presidenti çek ofroi një darkë gala për nder të homologut Begaj dhe delegacionit që e shoqëronte, me përfaqësues nga institucionet qëndrore çeke dhe nga Komuniteti Shqiptar.
Në ditën e dytë të vizitës Presidenti Begaj pati një takim falenderues me njësitë e zjarrfikësve që morën pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve në Shqipëri, këtë verë si dhe dy herë të tjera më parë. Presidenti Begaj pati një takim me studentë shqiptarë që studiojnë në Çeki, në selinë qëndrore të Universitetit të Karlit, në prani të Rektores Milena Králíčková, si dhe të studentëve e pedagogëve çekë e të huaj të interesuar për Shqipërinë. Pasdite Presidenti Begaj zhvilloi, në ambjentet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Pragë, një takim me një pjesë të Komunitetit Shqiptar që jeton dhe punon në Çeki.










